Zyra për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara ka thënë se palestinezët e burgosur nga Izraeli që nga shpërthimi i luftës në Gaza mund të jenë torturuar.
Raporti i OKB-së mblodhi dëshmi nga burra, gra dhe fëmijë të cilët ishin të burgosur, të cilët thanë se “mbaheshin në objekte të ngjashme me kafazin, të zhveshur për periudha të gjata, vetëm me pelena”.
Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, ka thënë se dëshmitë e mbledhura nga zyra e tij sugjeronin se autoritetet izraelitë mund të kenë kryer “akte të tmerrshme” ndaj të arrestuarve, përfshirë torturën e lidhjes me kokë teposhtë dhe hedhjes së ujit në fytyrë.
Shumë prej tyre janë mbajtur pa akuza, pa qasje në avokat dhe në “kushte të mjerueshme”, thuhet në raport.
Raporti po ashtu përmend vuajtjet që pengjet izraelite thonë se kanë përjetuar nga Hamasi. Ish-pengjet kanë thënë se ata i privuan nga ushqimi dhe uji, e disa kanë thënë se janë rrahur.
Forcat izraelite kanë arrestuar mijëra palestinezë përgjatë luftës në Gaza – shumica nga Gaza por edhe nga Bregu Perëndimor dhe vetë Izraeli.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë ngrehur shqetësime për objektet e dënimit ku mbahen të dënuarit. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka thënë se i është refuzuar leja për të vizituar objektet ku mbahen të burgosurit palestinezë.
Në raport thuhet me mijëra palestinezë janë arrestuar dhe disa prej tyre kanë qenë staf mjekësor me pacientët e tyre, të tjerë fëmijë që strehoheshin në shkolla. Të paktën 53 persona besohet se kanë vdekur në mbajtje.
Ata që janë liruar u kanë thënë hetuesve të OKB-së se janë mbajtur me sy të mbyllur, privuar nga ushqimi, gjumi dhe uji, se kanë qenë subjekt të elektroshokut dhe djegies me cigare.
Disa gra dhe burra kanë folur për dhunë seksuale.
Turk ka theksuar se dëshmitë japin indikacione për “shkelje flagrante të të drejtës ndërkombëtare të njeriut dhe të drejtës humanitare”.
Raporti bën thirrje për të gjitha palët në konflikt “menjëherë të ndalojnë të gjitha format e dënimit arbitrar, përfshirë mbajtjen e pengjeve, si dhe torturën ose trajtimet e tjera të këqija, përdhunimin dhe format e tjera të dhunës me bazë gjinore, dhe të sigurojnë përgjegjësi për shkeljet dhe abuzimet serioze”.