Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar të premten se gati 70% e viktimave që ka verifikuar në luftën e Gazës janë gra dhe fëmijë dhe dënoi atë që e quajti një shkelje sistematike të parimeve themelore të ligjit ndërkombëtar.
Gjetjet e OKB-së përfshijnë shtatë muajt e parë të konfliktit Izrael-Hamas në Rripin e Gazës që filloi më shumë se një vit më parë, raporton Reuters.
Këto gjetje tregojnë “një shkelje sistematike të parimeve themelore të ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha zyra e OKB-së në një deklaratë me raportin prej 32 faqesh.
Izraeli nuk komentoi gjetjet e raportit.
Ushtria izraelite, e cila filloi ofensivën e saj në përgjigje të sulmit të 7 tetorit 2023, në të cilin luftëtarët e Hamasit vranë rreth 1200 njerëz në jug të Izraelit dhe kapën më shumë se 250 pengje, pretendon se kujdeset të shmangë dëmtimin e civilëve në Gaza.
Ajo ka fajësuar Hamasin për të tilla raste pasi pretendon se grupi militant përdor civilët si mburojë.
Hamasi ka mohuar përdorimin e civilëve dhe infrastrukturës civile, përfshirë spitalet, si mburoja njerëzore.