Gati 40 milionë njerëz janë të infektuar me virusin HIV, i cili e shkakton SIDA-n, sipas një raporti të OKB-së që përfshin të dhëna për vitin 2023.
Sipas raportit mbi 9 milionë prej tyre nuk kanë qenë duke u trajtuar, çka thuhet se ka rezultuar në vdekje të lidhura me SIDA-n, raporton AP.
Ndërsa janë bërë përparime për t’i dhënë fund pandemisë së SIDA-s në botë, në raport thuhet se progresi është ngadalësuar, fondet janë duke u zvogëluar dhe janë duke u rritur infektimet në tri rajone: Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, si dhe Amerikën Latine.
Në vitin 2023, rreth 630 mijë njerëz kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n, rënie nga 2.1 milionë vdekje në vitin 2004. Por shifra e fundit është më shumë se dyfishi i objektivit prej më pak se 250 mijë vdekje për vitin 2025, sipas raportit të UNAIDS, agjenci e OKB-së që i udhëheq përpjekjet globale për t'i dhënë fund pandemisë.
Pabarazia gjinore po i përkeqëson rreziqet për vajzat dhe gratë, thuhet në raport, duke përmendur incidencën jashtëzakonisht të lartë të HIV-it midis adoleshenteve dhe grave të reja në disa pjesë të Afrikës.
Përqindja e infeksioneve të reja globalisht te komunitetet e margjinalizuara që përballen me stigmë dhe diskriminim, siç janë punonjësit e seksit, burrat që kryejnë marrëdhënie me burra dhe njerëzit që marrin droga me injeksione, është rritur gjithashtu nga 45 për qind në vitin 2010 në 55 për qind në vitin 2023, sipas raportit.
Vitin e kaluar, në mesin e 39.9 milionë njerëzve që jetojnë me HIV, 86 për qind e kanë ditur se janë të infektuar, 77 për qind kishin qasje në trajtim thuhet në raport.