Botë

OBSH: Vapa e madhe në Gaza mund ta përkeqësojë krizën shëndetësore

Gaza

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi të premten se temperaturat e larta në Rripin e Gazës mund të përkeqësojë problemet shëndetësore për palestinezët e zhvendosur nga bombardimet izraelite dhe luftimet e ashpra midis forcave të Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

OBSH ka paralajmëruar se një krizë masive e shëndetit publik po afrohet në Gaza për shkak të mungesës së ujit të pastër, ushqimit dhe furnizimeve mjekësore.

“Ne kemi parë zhvendosje masive gjatë javëve dhe muajve të fundit dhe ne e dimë se nxehtësia mund të shkaktojnë një rritje të sëmundjeve”, ka theksuar Richard Peeperkorn, përfaqësuesi i OBSH-së për Gazën dhe Bregun Perëndimor.

“Ne kemi ndotje të ujit dhe do të kemi shumë më shumë prishje të ushqimit për shkak të temperaturës së lartë. Do të kemi mushkonja dhe miza, gjithashtu edhe dehidratim”.

Nxehtësia ekstreme ka lënë të vdekur qindra njerëz në mbarë botën. 

Peeperkorn ka deklaruar se në Gaza, për shkak të kushteve të këqija të ujit dhe kanalizimeve, numri i rasteve të diarresë ishte 25 herë më i lartë se zakonisht, raporton Reuters. 

Sipas OBSH-së, uji i kontaminuar dhe higjiena e dobët janë të lidhura me sëmundje të tilla si kolera, diarreja, dizenteria dhe hepatiti A.

OBSH-ja  nuk ka qenë në gjendje të kryejë evakuime mjekësore nga Gaza që nga mbyllja e vendkalimit Rafah në fillim të majit.

Peeperkorn ka theksuar se rreth 10 mijë pacientë ende kanë nevojë për evakuim mjekësor nga Gaza, gjysma e të cilëve vuajnë nga sëmundjet që lidhen me luftën.

Ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit ka vrarë më shumë se 37 mijë e 400 njerëz në territorin palestinez të sunduar nga Hamasi. 

Izraeli filloi sulmin e tij pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan përtej kufirit në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng më shumë se 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite.