Botë

OBSH: Mbi 160 punëtorë shëndetësorë palestinezë keqtrajtohen në burgjet izraelite

Sulmet ne Gaza

Foto: Arkiv

Afërsisht 160 punëtorë mjekësorë nga Gaza, duke përfshirë 20 doktorë, besohet se po keqtrajtohen nëpër qendrat e dënimit në Izrael, me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që ka shprehur shqetësim të thellë për mirëqenien dhe sigurinë e tyre, ka raportuar të martën The Guardian.

Drejtori i organizatës joqeveritare palestineze (HWW), Muath Alser, ka thënë se mbajtja në burg e një numri të madh të doktorëve, infermierëve dhe punëtorëve mjekësorë nga Gaza është kundër të drejtës ndërkombëtare dhe se vuajtjet e civilëve po shtohen çdo ditë për shkak të pamundësimit të ekspertizës dhe kujdesit mjekësor.

“Shënjestrimi i fuqisë punëtore nga sektori shëndetësor prej Izraelit në këtë mënyrë, ka ndikim katastrofal në ofrimin e kujdesit shëndetësor për palestinezët, me vuajtje të shumta, vdekje të panumërta të parandalueshme dhe çrrënjosje efektive të të gjitha specializimeve mjekësore”, ka deklaruar Alser.

Ushtria izraelite (IDF) ka siguruar se pretendimet mbi keqtrajtimin e të burgosurve nuk janë të vërteta, sepse sipas tyre, secilit të burgosur i ofrohen rroba, dyshek për fjetje, ushqim, pije dhe qasje në kujdesin mjekësor.

Në bazë të Konventës së Gjenevës, në të cilën janë vendosur themelet e së drejtës ndërkombëtare, doktorët duhet të mbrohen, jo të shënjestrohen ose të sulmohen gjatë një konflikti dhe duhet të lejohen të vazhdojnë misionin e tyre për të ofruar ndihmë mjekësore për njerëzit në nevojë.