Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar një paralajmërim global se po qarkullon nëpër botë “Ozempic” fals.
“Ozempic” është ilaç që përdoret për trajtimin e diabetit të Tipit-2, por së fundi është bërë mënyrë e popullarizuar për humbje të peshës. OBSH-ka ka thënë se ilaçi fals mund të përbëjë rrezik për shëndetin.
Organizata ka këshilluar njerëzit që të blejnë ilaçet vetëm te vendet e besueshme, e të mos bëjnë porosi nëpërmjet uebfaqeve apo rrjeteve sociale.
Përbërësi aktiv në Ozempic – semaglutide – ndihmon njerëzit me diabet të Tipit-2 të kontrollojnë sasinë e sheqerit në gjakun e tyre.
Megjithatë, marrja e një injeksioni në javë po ashtu i dërgon sinjal trurit se jemi të ngopur. Pra, ilaçi i ndihmon njerëzit të humbin peshë, duke reduktuar dëshirën për të ngrënë.
Njerëzit pa diabet e kanë përdorur këtë ilaç për humbje të peshës.
Kjo ka shkaktuar mungesa të ilaçit për personat me diabet të tipit-2 dhe ka krijuar një treg për barna të falsifikuara.
OBSH-ja ka thënë se ka gjurmuar raportet në rritje të “Ozempicut-fals” në të gjithë botën që nga viti 2022.
Ilaçe false janë kapur nga autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Brazil.
“Ne këhsillojmë profesionistët shëndetësorë, autoritetet rregullative dhe publikun që të jenë të vetëdijshëm për këto barna të falsifikuara”, ka thënë doktori Yukiko Nakatani, ndihmësdrejtor i përgjithshëm i OBSH-së për Barna Esenciale e Produkte Shëndetësore.
OBSH-ja paralajmëroi se disa nga ato barna mund të mos përmbajnë fare semaglutide ose disa tjera mund të përmbajnë insulinë, duke çuar në “efekte të paparashikueshme”.
“Këto produkte të falsifikuara mund të kenë efekte të dëmshme për shëndetin e njeriut”, tha OBSH.