Botë

Obama u bën thirrje amerikanëve që të mbështesin “një kapitull të ri” me Kamala Harrisin

Barack Obama

Barack Obama

Foto: Associated Press

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle Obama, i kanë dhënë mbështetje të madhe Kamala Harrisit, në natën e dytë të Konventës Kombëtare Demokratike. 

Ata u kërkuan votuesve të mbështesin një “kapitull të ri” me të, në fjalimet e radhës në një arenë të mbushur plot në Chicago, raporton BBC.

Sondazhet nxjerrin Harrisin me epërsi të lehtë ndaj Donald Trumpit në nivel kombëtar.

Në fjalimin e saj, Michelle Obama u tall drejtpërdrejt me kandidatin republikan, Donald Trump, duke e pyetur nëse ai e dinte se po kandidonte për një “punë për të zinj”, duke iu referuar postit të presidentit.
Kandidati republikan është kritikuar pasi kishte deklaruar më parë se emigrantët po marrin “punë për të zinj” në SHBA.

Ndërkohë, protestat jashtë konsullatës izraelite në Chicago u tensionuan pasi shpërthyen përleshjet ndërsa demonstruesit marshuan drejt policisë.

Konventa katërditore emëron zyrtarisht Harrisin si kandidaten demokrate për presidente, ndërkaq Donald Trumpi mbajti kongresin e tij muajin e kaluar, pak pasi i mbijetoi një atentati.