Ekipet e kërkim-shpëtimit në Birmani kanë nxjerrë nga rrënojat një burrë 26-vjeçar i cili ka mbijetuar për afro pesë ditë nën rrënojat të hotelit që po punonte. Hoteli u shemb pas tërmetit vdekjeprurës prej 7.7-shkallësh rihter të premten, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.
Pasi u përdor një kamerë endoskopike për të lokalizuar Naing Lin Tun që gjendej nën rrënoja dhe u konfirmua se ishte i gjallë, i riu në mënyrë të kujdesshme u nxor përmes një vrime të hapur në një dysheme. Ai u largua me barele, ndërsa kishte kaluar 108 orë i bllokuar nën rrënojat e hotelit.
Gjysmë i zhveshur dhe i mbuluar me pluhur, Naing Lin Tun u shfaq i dobësuar por me vetëdije në një video të publikuar nga departamenti lokal i zjarrfikësve. Televizioni publik i kontrolluar nga qeveria, MRTV, ka raportuar se operacionet e kërkim-shpëtimit në qytetin e Naypyitawit janë ndihmuar nga një ekip turk dhe lokal. Operacioni i shpëtimit të Naing Lin Tun zgjati më shumë se nëntë orë.
VIDEO:
🇲🇲 VIDEO: Five days after a devastating earthquake hit Myanmar, rescuers pull a man alive from the ruins of a hotel in the capital Naypyidaw. The 26-year-old hotel worker was extracted by a joint Myanmar-Turkish team. pic.twitter.com/czmMHvHzgT
Tërmeti 7.7-shkallësh rihter goditi Birmaninë në mes të ditës të premten, duke rrënuar mijëra ndërtesa, shkatërruar ura dhe duke prishur rrugët. Deri tani janë raportuar 2,886 viktima dhe 4,639 të tjerë të lënduar, sipas televizionit shtetëror MRTV, por raportimet lokale sugjerojnë numër shumë më të madh të viktimave dhe të lënduarve.