Botë

Numri i të vdekurve nga lufta në Gazë ka kaluar 44-mijëshin, sipas zyrtarëve palestinezë

lufta Gazë

Numri i të vdekurve në Rripin e Gazës nga lufta 13-mujore midis Izraelit dhe Hamasit ka tejkaluar 44-mijëshin, thanë zyrtarët lokalë të shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve në numërimin e saj, por ka thënë se më shumë se gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë. 

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë mbi 17 mijë militantë, pa dhënë prova.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë 44 mijë e 56 njerëz janë vrarë dhe 104 mijë e 268 janë plagosur që nga fillimi i luftës. 
Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. 

Rreth 100 pengje janë ende brenda Gazës, të paktën një e treta e të cilëve besohet të jenë të vdekur, raporton Associated Press. 

Shumica e pjesës tjetër u liruan gjatë një armëpushimi vitin e kaluar.

Në Liban, numri i të vdekurve nga sulmet dhe luftimet izraelite ka arritur në 3 mijë e 580 njerëz, me më shumë se 15 mijë të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit. 

Të paktën 51 persona u vranë të enjten në sulmet izraelite në qytete dhe fshatra në të gjithë Libanin.
Ofensiva izraelite në Gazë ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në zona të gjera të territorit bregdetar.
Rreth 90% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh janë zhvendosur me qindra mijëra prej tyre që po jetojnë në kampe tendash me pak ushqim, ujë ose shërbime bazë.

Izraeli pretendon se përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve dhe fajëson Hamasin për vdekjen e tyre, sepse sipas tij, militantët veprojnë në zona të banuara, ku kanë ndërtuar tunele, raketahedhës dhe infrastrukturë tjetër ushtarake.

Zyrtarët palestinezë dhe grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë forcat izraelite për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe Gjykata e Lartë e Kombeve të Bashkuara po shqyrton akuzat për gjenocid të paraqitura nga Afrika e Jugut. Qeveria izraelite i mohon me vendosmëri akuzat, duke i akuzuar kritikët se janë të njëanshëm ndaj saj.