Botë

Norvegjia planifikon të ndërtojë një gardh në kufirin me Rusinë

Norvegji

Foto: Associated Press

Norvegjia mund të ndërtojë së shpejti një gardh përgjatë një pjese ose të gjithë kufirit 198 kilometra që e ndan me Rusinë, ka bërë të ditur ministrja norvegjeze e Drejtësisë, Emilie Enger Mehl.

Lëvizja është e frymëzuar nga një projekt i ngjashëm në fqinjin e saj nordik, Finlandën, raporton AP.

"Një gardh kufitar është shumë interesant, jo vetëm sepse mund të veprojë si një parandalues, por edhe sepse përmban sensorë dhe teknologji që ju mundësojnë të zbuloni nëse njerëzit po lëvizin afër kufirit”, ka deklaruar ministrja Enger Mehl në një intervistë për transmetuesin publik norvegjez NRK.

Ajo ka thënë se qeveria norvegjeze po shikon aktualisht "disa masa" për të forcuar sigurinë në kufirin me Rusinë në veriun e Arktikut, të tilla si rrethimi, rritja e numrit të stafit kufitar dhe rritja e monitorimit.

Stacioni kufitar Storskog, në të cilin është parë një pjesë e madhe e kalimit të paligjshëm të kufirit në vitet e fundit, është e vetmja pikë kalimi zyrtar në Norvegji nga Rusia.

Nëse situata e sigurisë në zonën delikate të Arktikut përkeqësohet, qeveria norvegjeze është e gatshme të mbyllë kufirin shumë shpejt, ka thënë Enger Mehl, e cila vizitoi Finlandën fqinje këtë verë për të mësuar se si e gjithë vija e saj kufitare me Rusinë prej 1,340 kilometra është mbyllur.

Qeveria finlandeze ka mbyllur të gjitha pikat e kalimit nga Rusia në Finlandë në fund të vitit 2023 pasi më shumë se 1,300 migrantë të vendeve të treta pa dokumentacion ose viza të duhura, hynë në vend brenda tre muajsh, vetëm disa muaj pasi vendi u bë një vend anëtar i NATO-s.

Për të parandaluar hyrjen e emigrantëve nga Moska në atë që qeveria finlandeze e quan "lufta hibride" e Rusisë, Helsinki aktualisht po ndërton gardhe me një gjatësi totale deri në 200 kilometra në seksione të veçanta përgjatë zonës kufitare që përbën një pjesë të krahut verior të NATO-s, dhe shërben si kufi i jashtëm i Bashkimit Evropian.

I frymëzuar nga projekti i Finlandës, Enger Mehl ka thënë se një gardh i tillë mund të jetë gjithashtu një ide e mirë për Norvegjinë. 

"Është një masë që mund të bëhet e rëndësishme në të gjithë ose një pjesë të kufirit midis Norvegjisë dhe Rusisë”, ka shtuar Enger Mehl.

Stacioni kufitar Storskog aktualisht është i rrethuar nga një gardh 200 metra i gjatë dhe 3.5 metra i lartë, i ngritur në vitin 2016 pasi rreth 5,000 emigrantë dhe azilkërkues kishin kaluar nga Rusia në Norvegji një vit më parë.