Botë

Njerëzit tërhiqen nga dhurimi i organeve pas raportimit të burrit që gabimisht e shpallën të vdekur

transplant

Ekspertët e transplantit po shohin rritje të numrit të njerëzve që po tërheqin regjistrimet si dhurues të organeve pas raportimit se një burri në Kentucky gati se po i hiqeshin organet sepse ishte shpallur gabimisht i vdekur.

Rasti pati ndodhur në vitin 2021 dhe burri është gjallë sot. Regjistrat në SHBA megjithatë janë ndikuar nga ky rast, i cili u publikua tash vonë. Një ulje e dhurimeve mund t’u kushtojë me jetë njerëzve që presin për një transplant.

“Dhurimi i organeve bazohet në besimin publik”, ka thënë Dorrie Dils, presidente e Asociacionit të Organizatave të Prokurimit të Organeve.

Vetëm mjekët që trajtojnë pacientët e përcaktojnë dikë të vdekur – ligji e bllokon këdo të përfshirë me dhurimin e organeve apo transplantit. Rasti ka ngrehur pyetje se si mjekët e përcaktojnë këtë dhe çfarë duhet të ndodhë nëse dikush sheh arsye për dyshim.

Çelësi është që “të gjithë mjekët të bëjnë testet e duhura dhe mirë”, ka thënë mjeku Daniel Sulmasy i Universitetit të Georgetownit.

Organizata “Donate Life America” gjeti se rreth 170 persona në ditë e tërheqin veten nga regjistri si dhurues organesh pas raportimit të rastit në Kentucky. Organizata “Gift of Life Michigan” ka njoftuar se zakonisht merr 5-10 telefonata në javë nga njerëz që kërkojnë ta heqin veten nga lista shtetërore.

Ndryshe nga sistemi vullnetar i dhurimit në SHBA, ligji në Franca e parasheh që të gjithë qytetarët do të jenë dhurues organesh, përveç nëse e heqin emrin e tyre posaçërisht.

Pasi artikujt për rastin e Kentuckyt arritën në Francë, numri i atyre që kanë thirrur për të refuzuar të jenë dhurues ka shkuar nga 100 në ditë në 1,000.

Mjeku Regis Bronchard ka thënë se ngritja e numrit “reflekton ankthin e publikut” dhe se ajo mund të ketë pasoja katastrofike.

Mjekët mund t’i shpallin dy lloje vdekjesh. Ajo që quhet vdekje nga zemra që ndodh kur zemra dhe frymëmarrja ndalojnë, dhe nuk mund të rikthehen. Vdekja e trurit shpallet kur i gjithë truri pushon së funksionuari përgjithmonë, zakonisht pas një dëmtimi të madh traumatik ose sulm në tru. Makineritë e mbajnë zemrën në lëvizje.

Vetëm 1% e vdekjeve ndodhin në atë mënyrë që lejon dikë të bëhet dhurues organesh – shumica e njerëzve shpallen të vdekur në spital dhe shpejt transferohen në morg.

Por, shumica e dhurimeve janë nga ata që kanë pësuar vdekje të trurit. Kur ndodh kjo pastaj kërkohet për marrës potencialë të organeve.