Mbyllja e shumicës së kuzhinave emergjente të Sudanit po shihet si pengesë e madhe nga organizatat që punojnë për të trajtuar krizën më të madhe të urisë në botë, të raportuar në të paktën pesë vende. Shumica e familjeve tani hanë vetëm një vakt në ditë, duke u dhënë përparësi fëmijëve dhe të moshuarve. Zyrtarë të lartë të OKB-së i thanë BBC-së se ndikimi i ndryshimit të politikës së Washingtonit do të ndihet përtej kufijve të Sudanit, me më shumë se dy milionë civilë tani refugjatë në vendet fqinje
Pezullimi i ndihmave humanitare amerikane ka shkaktuar mbylljen e pothuajse 80% të kuzhinave që ofronin ushqim për njerëzit e varfër, të mbetur në vend nga lufta civile në Sudan, ka mësuar BBC-ja.
Vullnetarët e organizatave që ofrojnë ndihmë thanë se ndikimi i urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump për pezullimin e ndihmave nga USAID-i për 90 ditë nënkupton mbylljen e më shumë se 1.100 kuzhinave komunale.
Është vlerësuar se rreth dy milionë njerëz që luftojnë për mbijetesë janë prekur nga ky vendim.
Dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur jetën, miliona janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe shumë të tjerë po përballen me krizën e urisë që nga prilli i 2023-s, kur edhe shpërtheu konflikti midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë Paraushtarake (RSF).
Kuzhinat drejtohen nga grupe të njohura si dhomat e reagimit emergjent, rrjet aktivistësh që qëndruan të gatshëm për t’iu përgjigjur krizave në lagjet e tyre.
“Njerëzit po trokasin në dyert e vullnetarëve”, thotë Duaa Tariq, një nga organizatoret e dhomave të reagimit emergjent. “Njerëzit po bërtasin në rrugë si pasojë e urisë”.
Administrata Trump pezulloi papritmas të gjitha ndihmat humanitare amerikane muajin e kaluar me qëllim që të përcaktohet nëse ato po “i shërbenin interesave të SHBA-së” dhe filloi të shpërbëjë USAID-in.
Departamenti i Shtetit ka bërë përjashtim për ndihmën urgjente ushqimore, por grupet sudaneze dhe të tjerë thonë se ka konfuzion dhe pasiguri të konsiderueshme rreth asaj se çfarë do të thotë kjo në praktikë.
Kanalet normale për përpunimin e financave nga USAID-i nuk ekzistojnë më dhe nuk është e qartë nëse ndihma në para, nga e cila varen kuzhinat komunale, do të rikthehet, apo do të funksionojë vetëm përmes sigurimit të mallrave. Sipas disa vlerësimeve, USAID-i ka ofruar 70-80% të totalit të financimit për këto programe përmes parave të gatshme.

Krijimi i fondeve të reja
Mbyllja e shumicës së kuzhinave emergjente të Sudanit po shihet si pengesë e madhe nga organizatat që punojnë për të trajtuar krizën më të madhe të urisë në botë, të raportuar në të paktën pesë vende.
Rrjeti i qendrave komunale të ushqimit, në fazat e hershme të luftës civile të vendit, u mbështet në donacionet e komunitetit dhe diasporës, por më vonë u shndërrua në një pikë qendrore të financimit nga agjencitë ndërkombëtare që luftonin për të ofruar ndihmë në zonat e konfliktit, duke përfshirë USAID-in.
Është një “pengesë e madhe” thotë Andrea Tracy, ish-zyrtare e USAID-it, e cila ka krijuar fondin, Koalicioni i Ndihmës së Ndërsjellë të Sudanit, për donacione private në dhomat e reagimit emergjent.
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, kishte përkrahur idenë e punës me grupet lokale, në vend që të mbështetej vetëm në kanalet tradicionale si OKB-ja.
Paratë kishin filluar të rrjedhin përmes organizatave ndërkombëtare të ndihmave, por një kanal për financim të drejtpërdrejtë ishte gjithashtu aktiv.
Për Tariqin, pezullimi i fondeve të SHBA-së e bëri të pamundur blerjen e mallrave për më shumë se 25 kuzhinat në gjashtë lagjet e kryeqytetit, Khartoum, të cilat ajo i ka nën shërbim. Ajo i tha BBC-së se pezullimi i la ata të papërgatitur ndërkohë që ushtria përparonte në zonën e cila është kontrolluar nga RSF-ja që nga shpërthimi i konfliktit.
Pati një plaçkitje të gjerë të tregjeve pasi RSF-ja filloi të tërhiqej dhe ushtria shtoi numrin e forcave të saj.
“Shumica e kuzhinave janë mbyllur”, tha ajo. Shumë po përpiqen të sigurojnë ushqim përmes kredive nga peshkatarët dhe fermerët vendas, por shumë shpejt “ne presim të shohim rritje të numrit të njerëzve që vuajnë nga uria”.
Këtu dhe në pjesën tjetër të vendit, fondi i Koalicionit të Ndihmës së Ndërsjellë të Sudanit do të bëjë ç’është e mundur për të mbushur boshllëkun e mbetur nga USAID-i.
“Unë mendoj se ne mund të mbështesim kuzhinat”, tha ajo, “por realiteti është se donacionet private do të duhet të shtohen edhe më shumë, sepse edhe nëse ndihma humanitare rifillon operimin, ajo kurrë nuk do të jetë ajo që ishte”.
“Këta vullnetarë po na sfidonin që të punonim ndryshe, dhe ne po reagonim”, thotë një anëtar i një ish-organizate partnere të USAID-it.
Ata janë “të rraskapitur, të traumatizuar dhe nuk po financohen” dhe “ne u treguam të gatshëm për t’iu ndihmuar”.
Përballja me urinë
Departamenti i Shtetit nuk është përgjigjur në disa pyetje specifike në lidhje me pezullimin e ndihmave në Sudan, duke thënë se informacioni mbi rishikimin e ndihmave është ndarë drejtpërdrejt me grupet, aplikimet e të cilave ishin të suksesshme.
“Procesi i rishikimit të ndihmave nuk ka të bëjë me ndaljen e ndihmave të huaja, por ristrukturimin e tyre për të siguruar që ajo i bën Shtetet e Bashkuara më të sigurta, më të forta dhe më të begata”, u tha në njërën prej përgjigjeve të Departamentit të Shtetit drejtuar BBC-së.
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) thotë se u janë dorëzuar dokumente që kërkojnë heqjen dorë nga 13 grantet ekzistuese sudaneze me USAID-in, por nuk ka siguri se çfarë do të ndodhë më pas. Gjithsesi, kjo do të negociohet, meqë tani bisedimet do të zhvillohen në rrethana të ndryshuara.
Në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara ishin donatori më i madh, i vetëm, për Sudanin, si përmes donacioneve të drejtpërdrejta ashtu edhe përmes kontributeve në Planin e Reagimit Humanitar të OKB-së.
Zyrtarë të lartë të OKB-së i thanë BBC-së se ndikimi i ndryshimit të politikës së Washingtonit do të ndihet përtej kufijve të Sudanit, me më shumë se dy milionë civilë tani refugjatë në vendet fqinje.
“Unë kam qenë dëshmitare e njerëzve që kanë ikur si pasojë e konfliktit, por jo si pasojë e urisë”, tha Rania Dagesh, ndihmësdrejtoreshë ekzekutive e WFP-së për partneritete dhe inovacione, pasi vizitoi kampet në Renk dhe Malakal, Sudani i Jugut, në fillim të këtij muaji.
Fluksi i refugjatëve vetëm sa ka tendosur edhe më tej burimet e pakta të ndihmave në dispozicion.
“Ne duhet të racionalizojmë, racionalizojmë, racionalizojmë”, thotë Mamadou Dian Balde, drejtor i Byrosë Rajonale të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.
Edhe ai gjithashtu kishte vizituar kampet e refugjatëve në Chad dhe Egjipt kur foli për BBC-në. “Ne jemi të tensionuar. Është jashtëzakonisht e vështirë”.
Që të dy i vlerësojnë komunitetet lokale për mirëpritjen e atyre që kërkojnë strehim dhe për faktin që ndajnë me ta atë pak që kanë në dispozicion. Në rastin e Sudanit të Jugut, “janë një milion njerëz shtesë që kanë ardhur në një vend ku tashmë 60% e popullsisë është në krizë emergjentë të urisë”, thotë Dagesh.
Shumica e familjeve tani hanë vetëm një vakt në ditë, duke u dhënë përparësi fëmijëve dhe të moshuarve.
“Por i sheh që ata lodhen dhe dobësohen para jush, fëmijë të kequshqyer. Shihni nëna që përpiqen të ushqejnë me gji dhe asgjë nuk del nga gjinjtë e tyre”, tha ajo.

Shtimi i fluksit të refugjatëve
Shumica e refugjatëve janë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Ata thonë se shumica e njerëzve të aftë për punë ose u vranë ose thjesht u zhdukën. Kështu që, ata ikën për të shpëtuar veten dhe fëmijët. Ata nuk kanë asgjë.
Për t’u përballur me urinë në kampe, disa refugjatë në Sudanin e Jugut janë përpjekur të shesin dru zjarri. Por Dagesh thotë se kjo i ekspozon ata ndaj ngacmimeve, dhunës dhe përdhunimeve.
Shumë nga refugjatët që ajo takoi kishin ardhur nga zonat bujqësore të Sudanit. Lufta shkatërroi jetën dhe jetesën e tyre.
Ata do të donin që paqja të rivendosej në vend, në mënyrë që të mund të kthehen në shtëpi, por luftimet kanë qenë të pandalshme për gati dy vjet.
Me situatën e urisë që përkeqësohet brenda Sudanit në mungesë të një armëpushimi, mbyllja e kuzhinave që ofrojnë ushqim vetëm sa do të rrisë numrin e ikjeve përtej kufijve.
Agjencitë e ndihmave që normalisht do të ofronin shërbimet e tyre janë të tensionuara.
UNHCR-ja thotë se është detyruar të racionalizohet “në nivele ku shërbimet tona janë absolutisht të kufizuara, ato janë në minimum”.
Thirrja e UNHCR-së për kontribut nga donatorët vitin e kaluar doli të arrijë vetëm 30% të shumës së parashikuar, duke i detyruar ekipet e tyre që të ndryshojnë “gjithçka”, duke përfshirë numrin e vakteve dhe sasinë e ujit që mund të merrnin refugjatët.
SHBA-ja ka qenë financuesi kryesor i UNHCR-së dhe njoftimi i muajit të kaluar për pezullimin e ndihmave duket se i ka hedhur gjërat në harresë.
“Ne jemi ende duke bërë vlerësimin e situatës, duke punuar me partnerët, për të parë shkallën e ndikimit në nevojat tona”, tha Balde për BBC-në.
Përballë zgjedhjeve të pamundura, disa refugjatë tashmë po u drejtohen vendeve të treta, duke përfshirë Gjirin, Evropën dhe më gjerë, për të kërkuar strehim. Disa prej tyre u janë drejtuar “udhëtimeve shumë të rrezikshme”, thotë Balde.