Botë

Një sëmundje e panjohur ua merr jetën 143 njerëzve në Kongo

Një sëmundje e panjohur ua merr jetën 143 njerëzve në Kongo

Një sëmundje e panjohur ua ka marrë jetën 143 njerëzve në provincën jugperëndimore të Republikës Demokratike të Kongos në nëntor, kanë thënë autoritetet.

Njerëzit e infektuar kanë pasur simptoma të ngjashme me gripin, duke përfshirë temperaturën e lartë dhe kokëdhembjen e rëndë, kanë thënë të hënën, Remy Saki, zëvendësguvernator i provincës Kwango dhe Apollinaire Yumba, ministër i shëndetësisë në provincë.

Një ekip mjekësor është dërguar në zonën shëndetësore “Panzi” për të mbledhur mostra dhe për të kryer analiza në mënyrë që ta identifikojnë sëmundjen, raporton Reuters.

Situata është shumë shqetësuese meqë numri i të infektuarve vazhdon të rritet, ka thënë lideri i shoqërisë civile, Cephorien Manzanza.

“Panzi është zonë rurale shëndetësore, prandaj ka problem me furnizimin e ilaçeve”, ka thënë Manzanza.

Njerëzit e sëmurë po vdesin në shtëpitë e tyre për shkak të mungesës së trajtimit, kanë thënë Saki dhe Yumba.

Një epidemiolog lokal ka thënë se gratë dhe fëmijët ishin më të prekurit nga sëmundja.

Një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë të martën se agjencia shëndetësore e OKB-së ishte alarmuar për praninë e sëmundjes javën e kaluar dhe se po punon së bashku me Ministrinë e Shëndetit Publik të Kongos për të kryer hetime të mëtejshme.