Një pilot i linjës ajrore turke “Turkish Airlines” ka vdekur pasi u sëmurë gjatë fluturimit nga Seattle për në Stamboll.
Ilcehin Pehlivan, 59 vjeç, vdiq gjatë fluturimit dhe një pilot i dytë me ndihmëspilotin morën kontrollin, ka shkruar një zëdhënës i linjës në platformën X.
“Kur ndihma e parë për kapitenin tonë ishte e pasuksesshme, ekipi vendosi ta bëjë një aterrim urgjent, por ai vdiq para se të uleshim”, ka shpjeguar Yahya Ustun, raportoi BBC.
Aeroplani u ul në New York dhe më pas u vendos që pasagjerët të dërgoheshin nga aty për në Turqi.
Pehlivan ka drejtuar linjat turke ajrore që nga viti 2007 dhe ka bërë kontrollin e zakonshëm në mars, nga i cili nuk është gjetur ndonjë problem shëndetësor që mund t’ia pengonte punën.
Nuk dihet shkaku i vdekjes së tij. Pilotët duhet t’u nënshtrohen testimeve mjekësore çdo 12 muaj, ndërsa ata mbi 40 vjeç çdo gjashtë muaj.