Botë

Një peng ka vdekur si pasojë e një sulmi izraelit në Gaza, thonë zyrtarë të Hamasit

Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Grupi islamik palestinez Hamas ka thënë të shtunën se ka vdekur një tjetër nga pengjet e rrëmbyer gjatë sulmit të tij të 7 tetorit në jug të Izraelit.

Hamasi publikoi një video duke thënë se Nadav Popplewell, i cili u mor peng nga komuniteti jugor izraelit i Kibbutz Nirim, vdiq pasi u plagos nga një sulm izraelit në Gaza, raporton Reuters.

Më herët të shtunën, Hamasi publikoi një video pa datë të 51-vjeçarit të robëruar përpara një muri të bardhë, me një mavijosje në syrin e tij të djathtë, dhe duke thënë emrin e tij.

Disa orë më vonë, në videon e dytë, grupi tha se Popplewell vdiq nga plagët e marra një muaj më parë në një sulm ajror izraelit.

"Ai vdiq sepse nuk mori kujdes intensiv mjekësor në objektet mjekësore për shkak të shkatërrimit të spitaleve nga armiku në Gaza”, ka thënë në një deklaratë zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, Abu Ubaida.

Nga 252 personat e rrëmbyer më 7 tetor, 128 mbeten në Gaza, sipas të dhënave izraelite. Të paktën 36 prej tyre janë shpallur të vdekur nga një komitet izraelit mjeko-ligjor.

Izraeli thotë se sigurimi i lirimit të pengjeve është qëllimi i ofensivës së tij në Gaza, së bashku me eliminimin e Hamasit, i cili ka sunduar enklavën që nga viti 2007.