Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra që jetojnë sot, ose një në çdo tetë në mbarë botën, kanë përjetuar përdhunim ose sulm seksual para moshës 18 vjeç, ka bërë të ditur të mërkurën Agjencia e Fëmijëve e Kombeve të Bashkuara.
Numri rritet në 650 milionë, ose një në pesë, kur merren parasysh format "pa kontakt" të dhunës seksuale, si abuzimi në internet ose verbal, ka njoftuar UNICEF përmes raportit të tij të parë global të problemit.
Ndonëse vajzat dhe gratë janë më të prekura, 240 deri në 310 milionë djem dhe burra, ose rreth 1 në 11, kanë përjetuar përdhunim ose sulm seksual gjatë fëmijërisë.
"Shkalla e kësaj shkeljeje të të drejtave të njeriut është dërrmuese dhe ka qenë e vështirë për t'u kuptuar plotësisht për shkak të stigmës, sfidave në matje dhe investimeve të kufizuara në mbledhjen e të dhënave”, ka thënë UNICEF në publikimin e raportit.
Raporti vjen përpara Konferencës Ministrore Globale përuruese mbi Dhunën ndaj Fëmijëve, në Kolumbi muajin e ardhshëm.
Sipas UNICEF-it, gjetjet e tij theksojnë nevojën urgjente për një veprim të intensifikuar global, duke përfshirë forcimin e ligjeve dhe ndihmën ndaj fëmijëve që të njohin dhe raportojnë dhunën seksuale.
UNICEF-i ka thënë se dhuna seksuale i kalon kufijtë gjeografikë, kulturorë dhe ekonomikë, por Afrika Sub-Sahariane ka numrin më të lartë të viktimave, me 79 milionë vajza dhe gra, ose 22 për qind e të prekurave.
Pasojnë Azia Lindore dhe Juglindore me 75 milionë, ose 8 për qind. Në të dhënat e tij për gratë dhe vajzat, UNICEF vlerësoi se 73 milionë, ose 9 për qind, ishin të prekur në Azinë Qendrore dhe Jugore, 68 milionë, ose 14 për qind, në Evropë dhe Amerikën e Veriut, 45 milionë, ose 18 për qind, në Amerikën Latine dhe Karaibe, dhe 29 milionë, ose 15 për qind, në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore.
Oqeania, me 6 milionë, kishte numrin më të madh të prekur nga përqindja, me 34 për qind.
Rreziqet sipas raportit janë më të larta në "mjedise të brishta", duke përfshirë ato me institucione të dobëta, forca paqeruajtëse të OKB-së ose një numër të madh refugjatësh, zbuloi raporti.
Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, e quajti dhunën seksuale ndaj fëmijëve "një njollë në ndërgjegjen morale".