Një në 15 amerikanë ka qenë dëshmitar i sulmeve të armatosura, tregon një studim i ri, duke zbuluar thellësinë dhe ndikimin e epidemisë së dhunës me armë që ka vërshuar Amerikën në dekadat e fundit, transmeton “The Guardian”.
Gjetjet e studimit tregojnë se 7 për qind e amerikanëve të rritur kanë qenë të pranishëm në vendngjarjen e ndonjë sulmi në masë gjatë jetës së tyre dhe më shumë se 2 për qind kanë mbetur të plagosur nga një e tillë, sipas studimit të fundit nga Universiteti i Colorado Boulder.
“Ky studim konfirmon se të shtënat në masë nuk janë tragjedi të izoluara, por realitet që prek një përqindje substanciale të popullatës, me pasoja të rënda fizike dhe psikologjike”, ka thënë David Pyrooz, profesor në departamentin e sociologjisë në Universitetin e Colorado Boulder. “Ato gjithashtu theksojnë nevojën për ndërhyrje dhe përkrahje të grupeve më të cenueshme”.
Që nga viti 2014, janë dokumentuar 5,000 sulme të armatosura në mbarë vendin, me më shumë se 500 ngjarje që ndodhin çdo vit që nga viti 2020, sipas Arkivit të Dhunës me Armë.
Ekipi universitar i ka definuar “të shtënat në masë” si vepër kriminale në kuadër të së cilës katër ose më shumë persona janë qëlluar me armë në hapësirë publike.