Një person ka mbetur i vdekur dhe tetë të tjerë të lënduar si pasojë e shembjes së një ndërtese në Stamboll, të dielën.
Shembja riktheu frikën për qëndrueshmërinë e ndërtesave në një qytet të prirur ndaj tërmeteve, raporton AP.
Imazhet televizive tregonin zjarrfikësit që zhvendosnin rrënojat me dorë nga ndërtesa pesëkatëshe e rrafshuar në Kuçukçekmece, në anën evropiane të qytetit. Shtatë persona janë nxjerrë fillimisht nga rrënojat, duke përfshirë dy të cilët janë lënduar rëndë, ka bërë të ditur guvernatori i Stambollit, Davut Gul ndërsa vizitoi vendin e ngjarjes.
Zyra e tij më vonë bëri të ditur se një person tjetër i lënduar është shpëtuar derisa është gjetur edhe një trup.
Guvernatori ka thënë se struktura 36-vjeçare është shembur në orën 8:40 të mëngjesit.
Shkaku nuk është ende i qartë, derisa nuk kishte asnjë shenjë shpërthimi apo aktiviteti sizmik.
Si banesa përdoreshin vetëm dy katet e fundit, ndërsa pjesa tjetër e ndërtesës ishte e zënë nga bizneset.
Më shumë se 59,000 njerëz vdiqën vitin e kaluar kur një tërmet me magnitudë 7.8 goditi pjesë të Turqisë jugore dhe Sirisë fqinje. Fatkeqësia theksoi zbatimin e dobët të rregulloreve të ndërtimit në Turqi.
Stambolli ka popullsi zyrtare prej 16 milionë banorësh. Një tërmet i vitit 1999 me qendër në jug të qytetit la të vdekur të paktën 18,000 njerëz. Sipas bashkisë, janë 200,000 ndërtesa që strehojnë 3 milionë njerëz që kanë nevojë urgjente për përmirësim.