Të paktën një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar pasi një aeroplan mallrash u rrëzua pranë aeroportit Vilnius në Lituani, në orët e para të së hënës.
Boeing 737, i operuar për DHL nga linja ajrore spanjolle e mallrave Swiftair, u rrëzua pranë një shtëpie teksa ishte gati për ulje, kanë bërë të ditur autoritetet lokale, raporton BBC.
Shërbimet e shpëtimit kanë bërë të ditur se të gjithë ata që ishin në fluturim nga Leipzig në Gjermani, janë regjistruar.
Avioni u nis nga qendra e DHL-së në aeroportin e Leipzigut dhe u rrëzua rreth një orë e gjysmë më vonë, sipas të dhënave nga faqja e internetit për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24.
Shkaku i rrëzimit nuk dihet dhe autoritetet lituaneze kanë nisur një hetim.
DHL ka konfirmuar se kishte në pronësi avionin.
Autoritetet kanë thënë se nuk kanë asnjë të dhënë për momentin që sugjeron se ka pasur një shpërthim përpara rrëzimit.