Botë

Një burrë në Meksikë vdes nga rasti i parë i një varianti të gripit të shpendëve te njerëzit

Gripi i shpendëve

Gripi i shpendëve

Foto: Associated Press

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se vdekja e një burri në Meksikë ishte shkaktuar nga një lloj gripi i shpendëve, i quajtur H5N2, i cili nuk është gjetur kurrë më parë te një njeri.
OBSH-ja ka bërë të ditur të mërkurën se nuk ishte e qartë se si u infektua personi. 

“Edhe pse burimi i ekspozimit ndaj virusit në këtë rast është aktualisht i panjohur, viruset A(H5N2) janë raportuar në shpendët në Meksikë”, thuhet në një deklaratë, raporton The Guardian. 

Shkencëtarët janë në gatishmëri për ndryshimet në virus që mund të sinjalizojnë se gripi i shpendëve po përshtatet për t'u përhapur më lehtë te njerëzit.

Por sipas OKB-së të mërkurën, rreziku aktual i virusit të gripit të shpendëve për popullatën e përgjithshme në Meksikë është i ulët.

Burri 59-vjeçar, i cili ishte shtruar në spital në Mexico City, vdiq më 24 prill pasi pati ethe, gulçim, diarre, të përziera dhe siklet të përgjithshëm, ka bërë të ditur OBSH-ja.

Ministria e Shëndetësisë e Meksikës shtoi në një deklaratë të mërkurën se deri më tani nuk kishte prova të transmetimit nga personi në person të gripit të shpendëve në rastin e burrit që vdiq. Ndërkaq, të gjithë njerëzit që kanë pasur kontakt me të kanë rezultuar negativë.

Në mars, qeveria e Meksikës raportoi një shpërthim të A(H5N2) në një njësi të izoluar familjare në shtetin perëndimor Michoacan të vendit, por tha se në atë kohë nuk përfaqësonte një rrezik për fermat e largëta tregtare, as për shëndetin e njeriut.

Pas vdekjes së burrit 59-vjeçar, autoritetet meksikane konfirmuan praninë e virusit dhe raportuan rastin në OBSH.

Shkencëtarët kanë thënë se rasti në Meksikë nuk ka lidhje me shpërthimin e një lloji tjetër të gripit të shpendëve - H5N1, në Shtetet e Bashkuara, që ka infektuar deri më tani tre punëtorë të fermave të qumështit. 

Varietetet e tjera të gripit të shpendëve kanë vrarë njerëz në të gjithë botën në vitet e mëparshme, duke përfshirë 18 njerëz në Kinë gjatë një shpërthimi të H5N6 në vitin 2021.