Botë

Nis sot samiti dy-ditor i BE-së, ndarja e posteve dhe planet strategjike kryesojnë agjendën

Samiti i BE-së

Samiti i BE-së

Foto: Associated Press

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të bien dakord të enjten mbi planet strategjike të BE-së dhe njerëzit për të drejtuar institucionet e saj për pesë vitet e ardhshme, me fokus të veçantë në ndihmën e Ukrainës për t'iu shmangur Rusisë dhe po ashtu për të forcuar mbrojtjen e vetë BE-së.

Udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së do të fillojnë të enjten samitin e tyre dy-ditor duke nënshkruar një marrëveshje sigurie me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për të demonstruar mbështetjen e tyre për vendin që lufton pushtimin e Moskës për të tretin vit. 

Udhëheqësit do të përsërisin zotimin e tyre për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa të duhet, duke theksuar se "Rusia nuk duhet të mbizotërojë" dhe se Ukraina duhet të marrë përsëri tokën e aneksuar nga Moska, thuhet në draft-konkluzionet e përgatitura për samitin, të siguruara nga Reuters.

Ata gjithashtu do t'u kërkojnë institucioneve të BE-së që të përpunojnë detajet e një kredie prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën.

Lufta në Ukrainë nxori në pah mungesën e gatishmërisë së BE-së për një konflikt, ndërsa blloku lufton për të furnizuar Kievin me armë të mjaftueshme kundër Rusisë, duke nxitur thirrje për më shumë koordinim të BE-së për sistemet e mbrojtjes dhe investime në industritë e mbrojtjes.

Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia kërkuan të mërkurën që Bashkimi Evropian të ndërtojë një linjë mbrojtëse përgjatë kufirit të bllokut me Rusinë dhe Bjellorusinë, për të mbrojtur BE-në nga kërcënimet ushtarake dhe aktivitetet e tjera të dëmshme nga Moska.

Investimi në mbrojtje do të jetë pjesë e "agjendës strategjike" të BE-së për të cilën liderët synojnë të bien dakord në samit.

Përveç mbrojtjes, projekt-agjenda strategjike e parë nga Reuters bën thirrje për rritjen e konkurrencës së BE-së për t'i bërë ballë më mirë presionit ekonomik nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, dhe për përgatitjen e bllokut për zgjerimin që do të përfshinte Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Sa i përket ndarjes së posteve kryesore brenda BE-së, 27 udhëheqësit kombëtarë pritet të emërojnë Ursula von der Leyen të Gjermanisë për një mandat të dytë si presidente të Komisionit.

Në kuadër të një pakete për të cilën është rënë dakord nga tri grupe politike centriste pro-BE-së, ish-kryeministri portugez Antonio Costa do të kryesojë Këshillin Evropian të liderëve të BE-së dhe kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas do të jetë shefja e politikës së Jashtme dhe Sigurisë.

Tri grupet - qendra e djathtë, qendra e majtë dhe liberalët, kanë shumicën e nevojshme për të miratuar paketën në samit. 

Por edhe më tutje mund të ketë njëfarë rezistence, pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri hungarez Viktor Orban janë shprehur kritikë ndaj marrëveshjes.

LEXO EDHE: