Botë

Zelensky akuzon Orbanin se e ka tradhtuar Evropën

Volodymyr Zelensky dhe Keir Starmer

Volodymyr Zelensky dhe Keir Starmer

Foto: Associated Press

E përditësuar (14:36) - Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vënë në shënjestër kryeministrin hungarez, Viktor Orban, duke e akuzuar atë për tradhti të liderëve evropianë, për shkak të vizitave të Orbanit së fundmi në Moskë dhe Pekin.

Zelensky ka thënë se megjithatë uniteti në Evropë është ruajtur.

“Ai mund të përpiqet t'ju afrohet, ose të shkojë tek disa nga partnerët tuaj individualisht, duke u përpjekur t'ju tundojë ose t'ju bëjë presion për t'ju shantazhuar në mënyrë që njëri prej jush të tradhtojë të tjerët. Ne ruajmë unitetin tonë”, ka thënë Zelensky, duke aluduar në Putinin. 

Para se të shkonte në Moskë ku u prit nga presidenti Vladimir Putin, Orbani ka vizituar Kievin, ku është takuar me presidentin, Zelensky. Orbani e ka quajtur udhëtimin e tij në Ukrainë, Rusi dhe Kinë, “mision të paqes” për Ukrainën.

Vizitat e tij kanë shkaktuar zemërim te liderët evropianë.


Starmer: Rreziku nga Rusia ekziston për të gjithë Evropën

E përditësuar (13:49) - Putini ka dështuar të krijojë ndarje në Evropë, thotë Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë udhëheqësve evropianë se “e kanë ruajtur unitetin në Evropë”.

Kjo sipas tij do të thotë se Vladimir Putini “ka dështuar në objektivin e tij kryesor”.

Në samitin që po mbahet në Britani të Madhe, Zelensky ka deklaruar se do të sigurohet “një paqe afatgjatë në Evropë”.

“Ky mbetet një avantazh për sa kohë ne jemi të bashkuar”, është shprehur Zelensky. 


E përditësuar (13:40) - Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer ka deklaruar se "kërcënimi nga Rusia ekziston për të gjithë Evropën".

Në fjalimin e tij hapës në samitin e Komunitetit Politik Evropian, ai ka thënë se "shumë kanë parë sulme ndaj demokracisë sonë", duke përfshirë aeroplanët ushtarakë që hyjnë në hapësirën tonë ajrore dhe anijet që patrullojnë bregdetin tonë", raporton BBC.

Ai ka deklaruar se është koha që e gjithë Evropa të bëjë më shumë dhe të "qëndrojë së bashku" për "të ruajë kufijtë e Evropës".

Starmer ka shtuar se Britania e Madhe do të jetë një shtet mik dhe partner i Evropës. 


Nis në Britani samiti ku do të diskutohet për migrimin dhe Ukrainën

Udhëheqësit nga e gjithë Evropa janë mbledhur në Britani për një samit në mes të shqetësimeve se a do të mbetet SHBA-ja një aleat i besueshëm nëse Donald Trumpi siguron një presidencë të dytë.

Kryeministri i sapozgjedhur i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer mirëpriti rreth 45 krerë shtetesh për të diskutuar migrimin, sigurinë energjetike dhe kërcënimin nga Rusia, ndërsa ai kërkon të rikthejë marrëdhëniet midis Britanisë dhe fqinjëve të saj të Bashkimit Evropian, katër vjet pas divorcit mes tyre, raporton AP.

Qeveria britanike ka bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar ka në plan të "marrë një rol më aktiv dhe më të madh në skenën botërore", veçanërisht duke ndihmuar Ukrainën të luftojë pushtimin rus dhe duke punuar për të goditur bandat e kontrabandës së njerëzve.

Kur Britania kishte rënë dakord në fillim të këtij viti për të mbajtur samitin njëditor, kryeministër ishte udhëheqësi konservator Rishi Sunak.

Humbja e tij në zgjedhjet e 4 korrikut bëri që Starmer të jetë ai që do t’i mirëpresë liderët në Pallatin Blenheim, një shtëpi fshati barok, që ishte vendlindja e kryeministrit të Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill.

Lista e të ftuarve përfshin kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin polak Donald Tusk dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në këtë samit po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani dhe Keir Starmer