Biseda telefonike ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky është në zhvillim e sipër, ka njoftuar zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino. 

Në një postim në rrjetin social X, Scavino ka shkruar se biseda është duke ndodhur tani, me “presidentin Trump që është në Zyrën Ovale duke biseduar me presidentin Volodymyr Zelensky të Ukrainës”, transmeton The Guardian.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Zelenskyt, Sergiy Nykyforov, po ashtu iu ka thënë gazetarëve se presidenti ukrainas “është duke biseduar në telefon me presidentin e Amerikës Donald Trump”. 

Biseda Trump-Zelensky, po ndodh një ditë pasi që presidenti amerikan foli me presidentit rus Vladimir Putin. 

BBC-ja ka rikujtuar se çfarë kanë diskutuar të martën presidenti amerikan, dhe ai rus. 

Çka u arrit dhe çka nuk u arrit në bisedën midis Trumpit e Putinit

Çfarë u arrit
•    Armëpushim në infrastrukturën energjetike: Rusia ka pranuar propozimin që të dyja palët të ndalojnë shënjestrimin e infrastrukturës energjetike për 30 ditë, dhe se urdhri është zbatuar menjëherë në nivelin ushtarak
•    Bisedime shtesë: Negociatorët do të vazhdojnë bisedimet si pjesë e përpjekjeve për të zgjidhur konfliktin, me Shtetet e Bashkuara që kanë thënë se negociatat do të fillojnë menjëherë në Riad të Arabisë Saudite. 
•    Negociatat për Detin e Zi: Të dyja palët do të mbajnë negociata specifike rreth mundësisë për arritjen e një armëpushim detar në Detin e Zi

Çfarë nuk u arrit
•    Armëpushimi i plotë: Rusia nuk u pajtua me këtë propozim, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina, për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor në tokë, ajër dhe det.
•    Kushtet e paqes: Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se “kushti kyç” për arritjen e marrëveshjes përfundimtare do të ishte ndalimi i ndihmës ushtarake dhe inteligjente për Ukrainën.

Shtëpia e Bardhë jep detaje të reja nga biseda Trump-Zelensky

1 muaj më parë / 19 mar 2025 19:50
SHBA

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, është deklaruar të mërkurën para gazetarëve rreth bisedës midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Leavitt ka konfirmuar se të dy liderët kanë pasur një bisedë fantastike, me Zelenskyn i cili i ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen ekonomike e ushtarake – veçanërisht për sistemin anti-tank Javelin.

Sipas saj, lideri ukrainas i ka kërkuar SHBA-së “sisteme shtesë të mbrojtjes, veçanërisht sistemin ajror të mbrojtjes Patriot, në mënyrë që të mbrojë civilët”. E presidenti amerikan, është pajtuar të punojë bashkë me Zelenskyn për të gjetur atë që është në dispozicion, sidomos në Evropë.

E pyetur për marrëveshjen mbi mineralet, ajo ka thënë se biseda telefonike “ka shkuar përtej marrëveshjes ekonomike për mineralet”, duke u përqendruar në “armëpushimin e pjesshëm, si dhe në hapat e radhës drejt armëpushimit të plotë e paqes së qëndrueshme në këtë konflikt”.

Ndër të tjera, Trumpi raportohet se i ka propozuar liderit ukrainas që vendosja e infrastrukturës energjetike të vendit të tij “nën pronësinë amerikane” mund të jetë forma më e mirë e mbrojtjes së kësaj infrastrukture kritike. 

Presidenti amerikan ka premtuar se do të “punojë ngushtë me të dy palët” për t’u siguruar se fëmijët e rrëmbyer gjatë luftës, “të kthehen në shtëpi”.

Zelensky pas bisedës me Trumpin: Ukraina e gatshme të zbatojë armëpushimin e kufizuar

1 muaj më parë / 19 mar 2025 18:52
Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vlerësuar se biseda telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, ka qenë “pozitive, shumë substanciale, dhe e sinqertë”, dhe se beson fuqishëm se “nën lidershipin amerikan, paqja e qëndrueshme mund të arrihet brenda këtij viti”. 

Zelensky në një postim në rrjetin social ‘X’ ka shkruar se Trumpi i ka ndarë detajet e bisedës së djeshme telefonike në mes tij dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Lideri ukrainas ka shprehur gatishmëri për të zbatuar armëpushimin e kufizuar mbi infrastrukturën energjetike, raporton The Guardian.

“Pala amerikane po ashtu ka propozuar një armëpushim pa kushte në vijën e frontit, dhe Ukraina e ka pranuar këtë propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë që ta bëjmë këtë të mundur”, ka shkruar ai.
 

Trumpi lavdëron bisedën me Zelenskyn: Jemi në rrugën e duhur

1 muaj më parë / 19 mar 2025 16:54
Donald Trump - Volodymyr Zelensky

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në rrjetin social Truth Social se ka pasur një “bisedë shumë të mirë” telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai po synon “të bashkërendojë Rusinë dhe Ukrainën në kuptimin e kërkesave dhe nevojave” të dy vendeve.

“Jemi në rrugën e duhur”, ka thënë Trump, duke shtuar se njoftimi i plotë i bisedës telefonike do të bëhet publik së shpejti nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltari i lartë i Sigurisë Kombëtare, Michael Waltz.