Spitalet fushore në kampet tajlandeze të refugjatëve, pastrimi i minave tokësore në zonat e luftës dhe ilaçet për të trajtuar miliona njerëz që vuajnë nga sëmundje të tilla si HIV, janë ndër programet që do të përballen me rënie të ndihmës, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, planifikon shkurtime masive të ndihmës së huaj të SHBA-së.
Trumpi javën e kaluar ka ndërprerë ndihmën e zhvillimit nga Agjencia e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar për 90 ditë, për të vlerësuar përputhshmërinë me politikën e tij "Amerika e Para". Me këtë veprim ai ka “aktivizuar” kambanat e alarmit te grupet e ndihmës në mbarë botën që varen nga ndihma e SHBA-së.
Organizatat humanitare dhe agjencitë e OKB-së thonë se mund të përballen me kufizime drastike në aftësinë e tyre për të shpërndarë ushqim, strehim dhe kujdes shëndetësor, nëse ngrirja bëhet e përhershme.
SHBA-ja është deri tani kontribuuesi më i madh në ndihmën humanitare globale, duke dhënë rreth 13.9 miliardë dollarë në vitin 2024, që përbën 42% të të gjithë ndihmave të mbledhura nga Kombet e Bashkuara.
Klinikat në kampet në Tajlandë që ofrojnë strehim për rreth 100,000 refugjatë nga Birmania, u urdhëruan të mbyllen pasi SHBA-ja ngriu fondet për Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit, sipas një punonjësi të lartë të ndihmës.
Një punonjës i ndihmës me bazë në Bangladesh ka thënë se organizatat që punojnë në strehimore, për shembull, nuk do të jenë në gjendje të blejnë materiale të reja për ndërtimin dhe rregullimin e shtëpive për refugjatët.
Shkurtimet do të ndikojnë gjithashtu në furnizimin me ilaçe shpëtimtare për HIV-in, malarinë dhe tuberkulozin në të gjithë globin, nga të cilat varen miliona njerëz, sipas një memorandumi të parë nga Reuters.
Të martën, kontraktorët dhe partnerët që punojnë me USAID-in filluan të marrin memorandume të tilla për të ndërprerë punën menjëherë.
“Katastrofike”
"Kjo është katastrofike”, ka thënë Atul Gawande, ish-kreu i Shëndetësisë Globale në USAID, i cili u largua nga agjencia këtë muaj.
"Furnizimet me medikamente që mbajnë gjallë 20 milionë njerëz që jetojnë me HIV. Kjo ndalon sot”, ka shtuar ai.
Shkurtimet do të prekin organizatat që punojnë me 6.5 milionë jetimë dhe fëmijë me HIV në 23 vende, sipas Gawande.
Drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit për Afganistanin (WFP), Hsiao-Wei Lee, i ka thënë Reuters se ishte e shqetësuar për ngrirjen, duke pasur parasysh se programi tashmë po merrte vetëm gjysmën e ndihmës që i nevojitej për Afganistanin dhe se mbi 6 milionë njerëz po mbijetonin me "vetëm bukë dhe çaj”.
WFP-ja mori 4.7 miliardë dollarë nga SHBA-ja vitin e kaluar, që përbën 54% të financimit të saj, sipas Kombeve të Bashkuara.
Disa OJQ po përdorin donacione nga publiku për të financuar mungesën e shkaktuar nga ngrirja.
Fondacioni Freeland, një grup kundër trafikimit në Bangkok, ka nisur një “GoFundMe” për ta tejkaluar ngrirjen 90-ditore.
Urdhri për të ngrirë fondet i ka futur misionet e USAID-it dhe partnerët e tyre në kaos, me shumë organizata të pasigurta nëse duhet të pushojnë stafin, të fillojnë të shesin asete të tilla si vetura apo t'u thonë punonjësve të marrin leje pa pagesë, sipas një burimi në agjenci.
Agjencitë e tjera kanë thënë se nuk do të prekeshin nga ngrirja. Zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Matthew Saltmarsh ka thënë se agjencia nuk ka marrë fonde nga USAID-i.
Mediat e pavarura që marrin fonde të jashtme në vendet me qeveri autoritare mund të luftojnë për të mbijetuar, thonë aktivistët e lirisë së medias.
Minat dhe arsimi
Në vitin 2023, SHBA-ja ishte donatori më i madh i veprimit ndaj minave tokësore me një kontribut total prej 310 milionë dollarësh, që përfaqëson 39% të të gjithë mbështetjes ndërkombëtare, sipas Fushatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave Tokësore. Siria, Birmania, Ukraina dhe Afganistani ishin ndër vendet ku minat e papastruara merrnin më shumë jetë.
Departamenti i Shtetit ka thënë të dielën se qeveria amerikane duhet të ripërqendrohet në interesat kombëtare amerikane, në rolin e saj si kujdestare e dollarëve të taksapaguesve.
"Presidenti Trump deklaroi qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të japin më verbërisht para pa kthim për popullin amerikan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës së huaj në emër të taksapaguesve punëtorë nuk është vetëm gjëja e duhur për t'u bërë, por është një imperativ moral”, ka thënë Departamenti i Shtetit.
Oksana Matiiash, kryetare e bordit në “Teach for Ukraine”, një OJQ që trajnon të diplomuar dhe specialistë si mësues për të përmirësuar sistemin arsimor, ka thënë se ka rritje të panikut në sektorin e OJQ-ve të Ukrainës.
"Nuk është vetëm financimi që është ngrirë. Pas çdo granti janë njerëz të vërtetë që punojnë në kushte të paimagjinueshme”, ka shkruar Matiiash në LinkedIn.