Botë

Nga një haker adoleshent - në personin më të kërkuar të Evropës

Julius Kivimäki

Julius Kivimäki është dënuar me gjashtë vjet e tre muaj burg Foto: Europol

Të dhënat e vjedhura nga qendra e psikoterapisë Vastaamo kanë përmbajtur sekretet më të thella të një pjese të shoqërisë, duke i përfshirë edhe fëmijët. Biseda të ndjeshme me tema të ndryshme, që nga lidhjet e dashurisë jashtëmartesore deri te pranimet e krimeve, tani ishin bërë mjet shantazhi për rreth 33.000 pacientë

Hakeri famëkeq, një nga kriminelët më të kërkuar të Evropës, është arrestuar për shantazhin e bërë ndaj 33.000 pacientëve në një qendër të psikoterapisë, pasi kishte vjedhur shënimet gjatë seancave.

Burgosja e Julius Kivimäki i ka sjellë fund krimit kibernetik 11-vjeçar, që ka filluar kur ai u bë i njohur në një rrjet hakerësh adoleshentë në moshën 13-vjeçare.

Tiina ishte duke u qetësuar pas saunës së zakonshme finlandeze të së shtunës mbrëma kur telefoni i saj ka marrë një mesazh. 

Ishte një email nga një dërgues i panjohur i cili disi kishte emrin e saj, numrin e sigurisë sociale dhe detaje të tjera private. 

“Së pari u çudita se sa i sjellshëm dhe i këndshëm ishte toni i emailit”, ka thënë ajo.

“E nderuar Znj. Parikka”, kishte shkruar dërguesi, para se të tregonte se i kishte marrë informacionet e saj personale nga një qendër psikoterapie ku ajo ishte paciente. Si duke kërkuar falje, dërguesi i kishte shpjeguar se ishte duke e kontaktuar Tiinën në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse kompania ishte duke e injoruar faktin që të dhënat personale ishin vjedhur. 

Të dhënat e dy vjetëve të terapisë së saj, nga dhjetëra seanca private, ishin tani në duart e një shantazhuesi të panjohur.

Nëse ajo nuk paguante shumën e kërkuar brenda 24 orëve, të dhënat e saj do të publikoheshin online.

“Ishte ndjenjë ngufatëse”, ka thënë ajo. “Isha ulur atje me mantel, duke u ndjerë sikur dikush e ka pushtuar botën time private dhe ishte duke u përpjekur të fitonte para nga traumat e jetës sime”.

Tiina shpejt e ka kuptuar se nuk ishte e vetme.

Një totali prej 33.000 pacientëve të tjerë gjithashtu u ishin vjedhur të dhënat dhe qindra prej tyre ishin duke u shantazhuar në atë që konsiderohet si rasti kriminal me numrin më të madh të viktimave në Finlandë.

Të dhënat e vjedhura nga qendra e psikoterapisë Vastaamo kanë përmbajtur sekretet më të thella të një pjese të shoqërisë, duke i përfshirë edhe fëmijët. Biseda të ndjeshme, me tema të ndryshme që nga lidhjet e dashurisë jashtëmartesore deri te pranimet e krimeve, tani ishin bërë mjet shantazhi.

Mikko Hyppönen, nga firma finlandeze e sigurisë kibernetike WithSecure, ka thënë se ngjarja ka shkaktuar tronditje në vend dhe ka qenë temë e lajmeve për ditë të tëra. “Hakimi i shkallës së tillë është fatkeqësi për Finlandën – gjithkush e ka njohur dikë që është prekur nga ky sulm”, ka thënë ai.

Kjo ka ndodhur në vitin 2020 gjatë mbylljes nga pandemia dhe rasti e ka shtangur botën e sigurisë kibernetike.

Gjykimi i Kivimäkit ishte ndër më të mëdhenjtë në historinë e shtetit

Ndikimi i emailave ishte i menjëhershëm dhe shkatërrues. Jenni Raiskio, avokate e 2.600 viktimave nga rasti, ka thënë në gjyq se firma e saj ishte kontaktuar nga të afërmit e viktimave që ishin vetëvrarë pas publikimeve online të të dhënave. Ajo ka mbajtur një minutë heshtje në gjyq për viktimat.

Shantazhuesi, i njohur me nofkën ransom_man nga regjistrimi i tij online, u ka kërkuar viktimave ta paguajnë 200€ brenda 24 orëve, përndryshe do t’ua publikonte informacionet. Nëse nuk paguanin deri në afatin e caktuar, ai e ka rritur çmimin në 500€.

Rreth 20 njerëz e kanë paguar shumën para se ta kuptonin se ishte shumë vonë. Informacioni i tyre veçse ishte publikuar një ditë më parë, kur ransom_man aksidentalisht e ka publikuar të tërë bazën e të dhënave në një forum në “darkweb”, rrjet brenda internetit që mund të qaset vetëm me softuer specifik dhe përbën një pjesë të madhe të aktivitetit të paligjshëm në internet.

Sot e kësaj dite të dhënat janë akoma aty.

Mikko dhe ekipi i tij kanë kaluar kohë të gjatë për ta gjurmuar hakimin dhe ta ndihmojnë policinë. Kanë filluar të qarkullojnë teoritë që hakeri ishte me gjasë nga Finlanda.

Një nga hetimet më të mëdha të policisë në historinë e vendit është mbyllur kur të dhënat i çuan drejt Finnit, i cili veç ishte i njohur në botën e krimit kibernetik.

Krimet e Zeekill

Kivimäki, që e ka quajtur veten Zeekill, nuk është bërë figurë famëkeqe duke u treguar i kujdesshëm.
Si adoleshent ai ka folur vetëm për hakimin, zhvatjet dhe është mburrur fort për këtë. Në mesin e ekipeve të harkimit Lizard Squad dhe Hack the Planet, ai është kënaqur duke shkaktuar kaos në periudhën aktive të hakimeve nga adoleshentët gjatë viteve 2010. 

Kivimäki ishte lojtari kryesor, duke kryer dhjetëra sulme të profilit të lartë deri kur është arrestuar në vitin 2014, në moshën 17-vjeçare, dhe është shpallur fajtor për 50.700 hakime. 

Pavarësisht kësaj, ai nuk është burgosur. Dënimi me dy vjet burg ishte pezulluar dhe është kritikuar nga shumë pjesëtarë të botës së sigurimit kibernetik. Për dënimet e famshme të buta të Finlandës, frika ishte se Kivimäki dhe bashkëpunëtorët e tij - kryesisht adoleshentë të tjerë të shpërndarë anembanë botës anglishtfolëse - nuk do të sprapseshin. 

Si shumë nga bashkëmoshatarët e tij gjatë kësaj kohe trazirash, Kivimäki nuk i ka lënë pengesat nga policia ta ndalojnë. Pas arrestimit të tij, dhe para dënimit, ai ka kryer një nga sulmet më të guximshme të kryera ndonjëherë nga ndonjë bandë adoleshente e hakimit. 

Në Natën dhe Ditën e Krishtlindjes, ai dhe Lizard Squad e kanë ndërprerë punën e dy platformave më të mëdha të lojërave. Rrjetet e Playstation dhe Xbox Live kanë ndaluar së funksionuari kur ishin goditur nga një teknikë jo e sofistikuar, por e fuqishme e njohur si sulmi i Refuzimit të Shpërndarë të Shërbimit. Miliona lojtarë nuk kanë qenë në gjendje të shkarkojnë lojëra, t’i regjistrojnë konsolat e reja ose të luajnë me shoqërinë online.

Kivimäki e ka shijuar vëmendjen nga mediat e botës dhe madje ka pranuar një intervistë televizive për Sky News, ku ka treguar se nuk është penduar për sulmin.

Një tjetër haker nga Lizard Squad i ka thënë BBC-së se Kivimäki ishte adoleshent hakmarrës, që i pëlqente hakmarrja ndaj rivalëve dhe kënaqej duke i treguar aftësitë e veta online. 

“Ai ishte i mirë në atë që bënte dhe nuk i kanë interesuar pasojat. Ai gjithmonë tejkalonte të tjerët në sulme kibernetike. Pavarësisht vëmendjes ai do të kërcënonte me bombë dhe do të bënte thirrje të rreme pa fshehje të zërit të tij të vërtetë”, ka thënë Ryan. Ai nuk e ka dhënë mbiemrin për shkak se është akoma i panjohur për autoritetet.

Përveç lidhjes me disa hakime të shkallës më të vogël pas dënimit të tij, Kivimäki ka mbetur i padëgjuar për vite me radhë, derisa emri i tij është lidhur me sulmin e qendrës se psikoterapisë në Vastaamo.

Si është gjurmuar shantazhuesi?

Policisë finlandeze i është dashur gati dy vjet për t’i mbledhur provat për ta nxjerrë Njoftimin e Kuq nga Interpoli dhe ai është bërë një nga kriminelët më të kërkuar të Evropës. Por askush nuk e dinte se ku ishte 25-vjeçari.

Ai ishte gjurmuar gabimisht shkurtin e kaluar, kur policia në Paris ka shkuar në apartamentin e tij, pasi kishte marrë thirrje të rreme për shqetësim në familje. Ata kanë gjetur se Kivimäki kishte qenë duke jetuar me dokumente të falsifikuara nën një emër fals.

Ai është ekstraduar me shpejtësi për në Finlandë, ku policia ka filluar përgatitjet për një nga gjyqet me profilin më lartë në historinë e vendit.

Marko Leponen e ka drejtuar çështjen tre-vjeçare dhe ka thënë se kjo ka qenë më e madhja e karrierës së tij. “Ne kishim më shumë se 200 oficerë në çështje në një moment dhe ishte hetim intensiv i shumë deklaratave të viktimave”.

Gjyqi i Kivimäkit ishte ngjarje e madhe për vendin, me reporterë atje çdo ditë dhe mediat ndërkombëtare të pranishme kur ai e ka dhënë dëshminë e tij.

Në gjyq, ai e ka ruajtur pafajësinë e tij me qetësi, me shaka të herëpashershme të treguara në sallën e gjyqit të heshtur. Por provat kundër tij ishin të shumta.

Leponeni ka thënë se lidhja e llogarisë bankare të Kivimäkit me serverin e përdorur për t’i shkarkuar të dhënat e vjedhura ishte vendimtare.

Oficerët e tij gjithashtu kanë përdorur teknika të reja të mjekësisë ligjore për t’i nxjerrë gjurmën e gishtit të Kivimäkit nga një foto anonime që ai e kishte postuar me pseudonim në internet. 

“Ne ishim në gjendje të dëshmonim se ky person anonim që postonte në forum ishte Kivimäki. Është e pabesueshme, por kjo tregon që duhet të përdorësh çfarëdo mase që di dhe t’i provosh ato që nuk i di”, ka thënë Leponen.

Në fund gjyqtarët e kanë dhënë vendimin e tyre duke e shpallur atë fajtor për të gjitha akuzat.

Sipas gjyqit, Kivimäki ishte fajtor për më shumë se 30.000 krime – një për secilën viktimë. Ai ishte akuzuar për shkelje të rëndë të të dhënave, tentativë për shantazh të rëndë, 9231 shpërndarje të informacioneve që cenojnë jetën private, 20745 tentativa për shantazh dhe 20 shantazhe të rënda.

Ai është dënuar me gjashtë vjet dhe tre muaj burgim, por sipas gjasave, do ta mbajë vetëm gjysmën e tyre për shkak të kohës tashmë të kaluar dhe sistemit finlandez të drejtësisë.

Për viktimat si Tiina, kjo nuk ishin të mjaftueshme.

“Shumë njerëz janë prekur nga kjo, në mënyra të ndryshme – 33.000 njerëz janë shumë viktima dhe kjo ka prekur shëndetin tonë, ku disa janë prekur edhe nga mashtrimet financiare si dhe nga përdorimi i të dhënave të vjedhura”, ka thënë ajo.

Në ndërkohë, ajo dhe viktimat e tjera janë duke pritur të shohin nëse do kenë kompensim nga çështja.

Kivimäki ka rënë dakord për ta zgjidhur këtë jashtë gjykatës me një grup të viktimave, por të tjerët po planifikojnë çështje civile ose kundër tij ose kundër vetë Vastaamos.

Kompania e psikoterapisë është mbyllur tashmë dhe themeluesit i është dhënë dënimi me burg për mosarritje të mbrojtjes së të dhënave të pacientit. Kivimäki nuk i ka treguar policisë se sa para ka në bitcoin dhe pretendon se i ka harruar detajet e kuletës digjitale.

Raisko ka shpresuar se shteti mund të ndërmarrë ndonjë hap, por gjithashtu ka thënë se do të duhen muaj të tërë, nëse jo vite, për t’i shqyrtuar rastet individuale dhe për të vlerësuar se sa dëm është shkaktuar. 

Madje, tani ka edhe kërkesa për ta ndërruar ligjin për të ndihmuar me rastet e ngjashme me këtë në të ardhmen.

“Kjo është me të vërtetë ngjarje historike në Finlandë, sepse sistemi ynë nuk është i gatshëm për një numër e tillë të viktimave. Hakimi i Vastaamos na ka treguar se ne duhet të jemi të përgatitur për këto raste, prandaj shpresoj se do të ketë ndryshim. Kjo nuk do të përfundojë me kaq”, ka thënë Raisko.