Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar se do të vazhdojë luftën kundër Hamasit përkundër dënimit ndërkombëtar për sulmin ajror që vrau shumë palestinezë në Rafah të dielën.
Të paktën 45 njerëz u vranë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, ndërsa qindra të tjerë u trajtuan për djegie të rënda dhe plagë të tjera.
Netanyahu e ka quajtur sulmin “tragjik” por ka shtuar se nuk e ka ndërmend ta ndalë luftën.
“Unë nuk e kam ndërmend ta përfundojë luftën përpara se të arrijë çdo qëllim”, ka thënë ai.
Ai tha se është jetike që Izraeli të marrë “çdo masë paraprake të mundshme” për të mbrojtur civilët duke këmbëngulur që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po përdorin “përpjekjet e tyre më të mira për të mos i dëmtuar ata që nuk janë të përfshirë në konflikt”.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë takim urgjent të martën me kërkesë të Algjerisë për të diskutuar sulmin në Rafah.
Në një deklaratë të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se sulmi kishte “vrarë shumë civilë të pafajshëm që kërkonin vetëm strehim nga ky konflikt vdekjeprurës”.
“Nuk ka vend të sigurt në Gaza. Ky tmerr duhet të ndalet”, ka thënë ai.