Botë

Netanyahu ultimatum Hamasit: Nëse s’i ktheni pengjet deri të shtunën, rikthejmë sulmet

Benjamin Netanyahu

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se nëse Hamasi nuk i kthen pengjet izraelite deri të shtunën në mesditë, armëpushimi në Gaza do të ndërpritet dhe forcat izraelite do t’u kthehen sulmeve.

"Nëse Hamasi nuk i kthen pengjet tona deri të shtunën në mesditë - armëpushimi do të ndërpritet dhe IDF-ja (Forcat Izraelite të Mbrojtjes) do t'u kthehet luftimeve intensive derisa Hamasi të mposhtet përfundimisht”, ka deklaruar Netanyahu, raporton BBC.

Ultimatumi i Netanyahut vjen pasi Hamasi të hënën njoftoi për pezullimin e lirimit të pengjeve, duke e akuzuar Izraelin se po e shkel marrëveshjen e arritur në janar. 

Netanyahu ka falënderuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, që ka kërkuar nga Hamasi lirimin e pengjeve deri të shtunën në mesditë. E po ashtu e ka falënderuar atë për “vizionin revolucionar” për Gazën. 

Ai ka shprehur zemërimin për gjendjen e tri pengjeve që ishin liruar të shtunën e kaluar. 

Deri më tash janë liruar 16 pengje izraelite në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 19 janar. Hamasi po ashtu ka liruar pesë pengje tajlandeze. 

Kanë mbetur edhe 17 pengje izraelite për t’u liruar në fazën e parë të armëpushimit, ndonëse Izraeli ka thënë se tetë prej pengjeve janë të vdekur. 

Tri pengje ishte paraparë të liroheshin të shtunën, por Hamasi pezulloi lirimin. 

Armëpushimi Izrael - Hamas parasheh që në fazën e parë që zgjat 42 ditë, të lirohen 33 pengje në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë në Izrael. Deri më tani janë liruar 16 pengje dhe 566 të burgosur.

Pezullimi i lirimit të pengjeve ka ardhur në një kohë kur pritej të fillonin bisedimet për fazën e dytë të armëpushimit, e cila do të parashihte lirimin e pengjeve të tjera izraelite, dhe largimin e tërësishëm të forcave të Izraelit nga Gaza.

Nëse kjo fazë do të implementohej në tërësi, atëherë do të konsiderohej fundi i plotë i luftës që ka lënë të vdekur mbi 47,000 persona në Gaza.