Botë

Netanyahu u kërkon falje familjarëve të pengjeve të vrarë, insiston në kontrollin e korridorit Philadelphi

Benjamin Netanyahu

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është lutur për falje që s’ka mundur t’i kthejë gjallë gjashtë pengjet, trupat e të cilëve u gjetën në Gaza të shtunën, raporton “BBC”. 

Si pasojë, demonstrata dhe një grevë e përgjithshme është zhvilluar të hënën në të gjithë Izraelin, duke u bërë thirrje që Qeveria të pajtohet me një marrëveshje për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi. 

Duke folur para mediave në Jerusalem, Netanyahu tha “se ishin shumë afër për të sjellë gjallë gjashtë pengjet në shtëpi”. 

“Dhe dua të përsërisë edhe një herë këtë mbrëmje, Izraeli nuk do të kalojë në agjendë normale pas kësaj masakre. Hamasi do të paguajë një çmim shumë të rëndë për të”, ka thënë Netanyahu. 

Netanyahu ka thënë se korridori Philadelphi në jug të Gazës duhet të kontrollohet nga Izraeli. 
Është një korridor me rëndësi strategjike përgjatë kufirit mes Gazës dhe Egjiptit. Netanyahu në konferencë për media ka thënë se nëse Izraeli nuk e kontrollon këtë korridor atëherë “Hamasi do të vazhdojë të armatoset dhe të krijohet në një përbindësh”. 

“Është detyrë për ne ta kontrollojmë atë. Prandaj Hamasi me kokëfortësi nuk na do atje, dhe për këtë arsye, ne po kërkojmë me kokëfortësi që të jemi atje, sepse prania jonë atje është një çështje strategjike”, ka thënë Netanyahu. 

Protestuesit në Izrael janë mbledhur në afërsi të rezidencës së kryeministrit në qytetin Caesarea. 
Po bëhet thirrje për largimin e Netanyahut.