Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka folur pas konfirmimit të vrasjes së liderit të Hamasit, Yahya Sinwar.
Netanyahu ka thënë se Sinwar ishte arkitekti i “masakrës më të keqe në historinë e njerëzve tanë që nga Holokausti”.
Ai thotë, se derisa “ka zgjidhur hesapet” me Sinwarin, “detyra ende nuk ka përfunduar”.
Ai ka thënë se Izraeli do ta vazhdojë luftën derisa pengjet të kthehen në shtëpi.
Duke iu drejtuar njerëzve në Gaza, Netanyahu ka thënë se “Sinwar shkatërroi jetën tuaj”.
“Tash që ka vdekur, Hamasi më s’do ta kontrollojë territorin”, tha ai, raporton "BBC".
Ai e ka përshkruar këtë si mundësi për popullin e Gazës që të çlirohet nga “tirania e Hamasit”.
“Kthimi i pengjeve tona është një mundësi për t’i arritur gjitha synimet tona dhe na afron më afër fundit të luftës”, tha Netanyahu.
Netanyahu ka thënë se Sinwar dhe shumë “nga vrasësit masiv” fshiheshin në Rafah, qytet në jug të Gazës.
Ai ka pretenduar se lideri i Hamasit u vra “derisa po ikte në panik” nga ushtarët izraelitë.
“Tani është e qartë për të gjithë se pse Izraeli insistonte që të mos përfundonte lufta”, tha Netanyahu, duke shtuar se u fut në Rafah përkundër presionit ndërkombëtar që të mos e bënte këtë.
Netanyahu po ashtu ka paralajmëruar të gjithë që mbajnë pengje në Gaza.
“Kushdo që e lë armën dhe i kthen pengjet tona, do të lejohet të largohet dhe të jetojë. Në të njëjtën kohë, kushdo që lëndon pengjet tona, gjaku i tij është në kokën e tij. Ne do t’i zgjidhim llogaritë me të”, ka thënë ai.
E Policia e Izraelit ka thënë se trupi i Yahya Sinwarit u identifikua së pari nëpërmjet analizave dentare. U tha se më pas u konfirmua edhe nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve. Izraeli kishte këto së bashku edhe me mostrat e ADN-së së Sinwarit, pasi Sinwar kishte qëndruar 22 vjet në burgjet izraelite.