Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se gati një vit pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit, vendi i tij tani po lufton në shtatë fronte.
"Sot, Izraeli po mbrohet në shtatë fronte kundër armiqve të qytetërimit”, ka deklaruar Netanyahu në një videodeklaratë të shtunën, raporton CNN.
Ai ka thënë se ato përfshijnë Hezbollahun e mbështetur nga Irani në veri, Hamasin në Gaza, Houthis në Jemen, “terroristët” në Bregun Perëndimor dhe milicitë shiite në Irak dhe Siri.
“Dhe ne po luftojmë kundër Iranit, i cili javën e kaluar gjuajti mbi 200 raketa balistike direkt në Izrael dhe që qëndron pas kësaj lufte me shtatë fronte kundër Izraelit”, është shprehur Netanyahu.
Ai ka shtuar se po mban premtimin e tij për të ndryshuar balancën e fuqisë në veri midis Izraelit dhe Libanit.
Izraeli ka kryer gati 9,000 sulme në Liban që nga 8 tetori dhe Hezbollahu ka kryer 1,500 sulme në të njëjtën periudhë kohore, sipas të dhënave të ACLED.
Duke iu referuar Gazës, Netanyahu ka thënë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe se nuk do t'i harrojë 101 pengjet, për të cilët ka thënë se janë të përkushtuar me të gjitha forcat për t’i kthyer në shtëpi.
Të paktën 41,825 njerëz janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori i vitit të kaluar, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Netanyahu komentoi po ashtu deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron për t’i ndalë armët për Izraelin që do të përdoreshin në Gaza, duke i quajtur "turp".
“Të jeni të sigurt, Izraeli do të luftojë derisa të fitohet beteja, për hir tonin dhe për hir të paqes dhe sigurisë në botë”, shtoi Netanyahu.
Më shumë se 1,400 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban gjatë muajit të fundit, dhe rreth 7,500 janë plagosur, sipas ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
LEXO EDHE: