Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se shteti i tij “është i përgatitur për aksion të fuqishëm në veri”, gjatë një vizite në këtë rajon, pas shpërthimit të zjarreve atje si pasojë e luftimeve me grupin militant libanez, Hezbolla.
Zjarri që ka nisur që nga e diela, është vënë pothuajse tërësisht nën kontroll të martën, sipas ushtrisë izraelite, raporton AP.
Ushtria izraelite ka thënë se ka dërguar ushtarë rezervë dhe pajisje për t’i ndihmuar zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit për të shuar zjarrin.
Hezbollahu ka nisur të lëshojë raketa në drejtim të Izraelit, një ditë pas nisjes së luftës në Gaza, si pasojë e sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor.
Që atëherë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë luftuar pothuajse çdo ditë.
Më shumë se 400 njerëz janë vrarë në Liban, shumica prej të cilëve luftëtarë, mirëpo në mesin e tyre ka edhe civilë.
Ndërkaq në Izrael, 15 ushtarë dhe 10 civilë janë vrarë që nga tetori. Dhjetëra e mijëra njerëz janë zhvendosur në të dy anët e kufirit.