Botë

Netanyahu thotë se Izraeli do të marrë pjesë në Romë në bisedimet për armëpushim në Gazë

Benjamin Netanyahu me Donald Trumpin

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se do ta dërgojë një delegacion në Romë për të marrë pjesë në bisedime për t’i dhënë fund luftës me Hamasin, por ai iu kundërpërgjigj komenteve të Kamala Harrisit që tha se “nuk do të heshte për tragjedinë në Gazë”, raporton “BBC”.

Netanyahu foli të premten gjatë një vizite që bëri në pronën Mar-a-Lago të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, një ditë pasi kishte diskutuar për armëpushim me presidentin aktual amerikan Joe Biden dhe zëvendëspresidenten Harris. 

Administrata Biden tha se Izraeli dhe SHBA-ja po i mbyllnin “boshllëqet” në këtë çështje. Harris, që pritet të jetë kandidate nga radhët e demokratëve për zgjedhjet presidenciale, megjithatë tha se “nuk do të heshte për tragjedinë dhe vuajtjen e civilëve në Gaza”, ndërsa u bëri thirrje gjitha palëve të arrijnë marrëveshje. 

Këto komente nuk i kanë pëlqyer Netanyahut, i cili pas takimit me Trumpin tha se do të dërgojë negociues në Romë “ndoshta nga fillimi i javës”. 

Ai tha se ka “disa lëvizje” në përpjekjet për armëpushim “për shkak të presionit ushtarak që ushtruam”. Por,  tha se shpreson që komentet e bëra nga Harris të mos ndryshojnë ndonjë gjë. 

Hamasi kishte nisur sulmin në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1200 persona, kryesisht izraelit dhe duke marrë rreth 251 pengje. Ministria e Shëndetësisë së Hamasit ka thënë se mbi 39 mijë palestinezë janë vrarë në ofensivën e Izraelit në Gazë. 

Trump të premten tha se do të angazhohet për të kërkuar paqen nëse rizgjidhet dhe kritikoi komentet e Harrisit duke i quajtur “mosrespekt” ndaj Izraelit. 

Ai tha se marrëdhënia e tij me Netanyahun ishte gjithmonë e mirë.