Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të dielën se do të diskutojë "fitoren ndaj Hamasit", kundërshtimin e Iranit dhe zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet arabe, në takimin e tij me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Takimi i së martës në Shtëpinë e Bardhë do të jetë i pari i Trumpit me një udhëheqës të huaj që nga kthimi në detyrë, raporton AP.
Takimi vjen në kohën kur ndërmjetësit amerikanë dhe arabë fillojnë punën e vështirë për ndërmjetësimin e fazës tjetër të një marrëveshjeje për të mbyllur luftën në Rripin e Gazës dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve të mbajtura nga militantët.
Hamasi, i cili ka rikthyer shpejt kontrollin e tij mbi Gazën që prej arritjes së armëpushimit muajin e kaluar, ka thënë se nuk do të lirojë pengjet e planifikuar për t'u liruar në fazën e dytë pa përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite.
Ndërkaq Netanyahu është nën presion nga partnerët qeveriësës të ekstremit të djathtë për të rifilluar luftën pas përfundimit të fazës së parë në fillim të marsit.
Ai ka thënë se Izraeli është ende i përkushtuar për fitoren mbi Hamasin dhe kthimin e të gjithë pengjeve të kapur në sulmin e militantëve të 7 tetorit 2023, që shkaktoi luftën.