Botë

Netanyahu synon ta rrisë mbështetjen nga SHBA-ja me fjalimin në Kongres

Benjamin Netanyahu -

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do t’i drejtohet Kongresit të SHBA-së në përpjekjet për ta rritur mbështetjen për luftën e tij në Rripin e Gazës, raporton BBC.

Ftesa e Benjamin Netanyahut u iniciua nga kryetari Republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, partia e të cilit po përpiqet ta tregojë mbështetjen e palëkundur për Izraelin.

Por, disa ligjvënës demokratë planifikojnë ta bojkotojnë fjalimin për shkak të nivelit të ndihmës ushtarake të SHBA-së për Izraelin, duke marrë parasysh numrin e lartë të viktimave palestineze.

Netanyahu arriti në SHBA të hënën. Pasi t’i drejtohet Kongresit të mërkurën, ai do të takohet me presidentin Joe Biden dhe zëvendëspresidenten Kamala Harris – pastaj do të takohet ndaras me kandidatin republikan Donald Trump.

“Mezi pres ta mirëpres Bibi Netanyahun në Palm Beach, Florida”, ka shkruar ish-presidenti Trump në një postim në “Truth Social”.

Netanyahu ka thënë se do ta “prezantojë të vërtetën e luftës” gjatë adresimit në Kongres. Ai vazhdon të përballet me presion ndërkombëtar dhe vendor për mënyrën se si e ka menaxhuar luftën.

Pritet gjithashtu që mijëra protestues propalestinezë të dalin në Washington për të protestuar. Mike Johnson ka paralajmëruar kundër protestave, duke thënë se do të ketë arrestime “nëse duhet ta bëjmë”.

Vizita e Netanyahut vjen pas marrëdhënieve të tensionuara me SHBA-në, sidomos me demokratët.
Presidenti Biden gjithashtu është bërë më kritik ndaj Izraelit, teksa lufta vazhdon dhe numri i viktimave rritet.
Të paktën nëntë senatorë kanë njoftuar se nuk do jenë prezent në fjalim, sipas “Washington Post”.

Senatori i Illinois Dick Durban është në mesin e tyre. Ai ka thënë se e përkrah Izraelin, por jo liderin momental.

Senatori Bernie Sanders gjithashtu do ta anashkalojë fjalimin si protestë ndaj “luftës totale” të nisur nga qeveria e Netanyahut në Rripin e Gazës.

“Politikat e tij në Gaza dhe Bregun Perëndimor dhe refuzimi i tij për ta mbështetur zgjidhjen mes dy shteteve duhet të dënohen ashpër”, ka shkruar Sanders në një postim në një rrjet social.