Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu pritet të fillojë një vizitë zyrtare katër-ditore në Hungari të enjten, duke shënuar herën e parë që kryeministri izraelit shkel në tokën evropiane që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar një urdhërarresti për të, lidhur me akuzat për krime lufte në Gaza.
Disa orë pasi GJNP-ja ka shpallur urdhër-arrestet në nëntor, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e ka bërë të qartë se do të sfidonte gjykatën për të pritur Netanyahun, duke u thënë gazetarëve se ai do të "garantonte" që vendimi i GJNP-së "të mos kishte asnjë efekt në Hungari", raporton The Guardian.
Hungaria ka qenë nënshkruese e GJNP-së që kur gjykata është krijuar më shumë se dy dekada më parë, duke nënshkruar kërkesën për të arrestuar dhe dorëzuar këdo që përballet me një urdhër gjykate nëse shkel në vend. Ditët e fundit, burime në qeverinë e Orbanit thuhet se kanë diskutuar mundësinë e tërheqjes nga gjykata.
Vizita zhvillohet pasi Netanyahu ka thënë se Izraeli po "pushton territorin" dhe synon "të ndajë" Rripin e Gazës dy javë pasi ka përfunduar një armëpushim i brishtë, me bombardime të reja dhe vendosjen e trupave tokësore në territorin e rrethuar palestinez.
Ky shënon udhëtimin e dytë të Netanyahut jashtë vendit që kur u shpallën urdhrat për të dhe ish-shefin e tij të Mbrojtjes, si dhe për liderin e Hamasit, Ibrahim Al-Masri. Izraeli ka hedhur poshtë akuzat e gjykatës, duke i përshkruar ato si të motivuara politikisht dhe të ushqyera nga antisemitizmi.
Në shkurt, Netanyahu ka udhëtuar në SHBA, e cila, ashtu si Izraeli, nuk është anëtare e GJNP-së, për të takuar Donald Trumpin. Presidenti amerikan e ka shfrytëzuar vizitën për të nënshkruar një urdhër ekzekutiv që kërkonte të vendoste sanksione ndaj GJNP-së lidhur me hetimet e saj mbi veprimet e Izraelit në konflikt, i cili ka filluar kur Hamasi e ka sulmuar Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë robër 250.
Që atëherë, fushata hakmarrëse ushtarake e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 50,000 njerëz, shumica e tyre civilë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit.
Në të gjithë BE-në dhe 27 anëtarët e saj, të gjithë nënshkrues të GJNP-së, çështja nëse urdhëresat do të zbatoheshin ka qenë prej kohësh përçarëse. Ndërsa shtete të tilla si Spanja, Holanda dhe Finlanda kanë thënë se do të zbatonin urdhërarrestet, Polonia në fillim të këtij viti ka shqyrtuar mundësinë që Netanyahu të merrte pjesë në 80-vjetorin e çlirimit të Aushvicit, ndërsa kancelari në pritje i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka thënë muajin e kaluar se kishte premtuar të gjente një mënyrë që Netanyahu të vizitonte Gjermaninë pa u arrestuar.