E përditësuar (20:29) - Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka reaguar ndaj pretendimeve të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu se SHBA-ja nuk po e furnizon Izraelin me armët e nevojshme për luftën në Gaza.
Blinkeni u ka thënë gazetarëve të martën se bombat 2,000 paund janë të vetmet armë që po shqyrtohen, raporton AP.
"Gjithçka tjetër po lëviz siç do të ndodhte normalisht”, është shprehur ai.
Në një video të publikuar të martën, Netanyahu la të kuptohej se ndalimi i armëve nga SHBA-ja për Izraelin po ngadalësonte ofensivën e Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka vonuar dërgimin e bombave të rënda në Izrael për shkak të shqetësimeve për vrasjen e civilëve në Gaza.
SHBA-ja përballet me kritika në rritje ndërkombëtare për mbështetjen e saj ndaj fushatës ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gaza, e cila sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës ka vrarë më shumë se 37,100 njerëz.
Netanyahu e quan “të pabesueshme” që Bideni nuk po dërgon armë në Izrael
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se "është e pabesueshme që në muajt e fundit, administrata amerikane të mos ketë dërguar armë dhe municione për Izraelin".
“Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Churchill u tha Shteteve të Bashkuara, ‘Na jepni mjetet, ne do ta bëjmë punën’, dhe unë them, na jepni mjetet dhe ne do ta përfundojmë punën shumë më shpejt", është shprehur Netanyahu të martën, raporton AP.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë muajin e kaluar se ai nuk do të furnizonte me armë sulmuese me të cilat Izraeli do të mund të niste një sulm të gjithanshëm në Rafah - bastioni i fundit i madh i Hamasit në Gaza, për shkak të shqetësimit për mirëqenien e më shumë se 1 milion civilëve që janë duke u strehuar atje.
Bideni e pranoi për herë të parë para disa javësh se "civilët janë vrarë në Gaza" nga lloji i bombave të rënda që SHBA-ja ka furnizuar Izraelin.
SHBA-ja ka ofruar historikisht sasi të mëdha ndihme ushtarake për Izraelin.
Kjo është përshpejtuar vetëm pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit, i cili la të vdekur rreth 1,200 njerëz në Izrael dhe çoi në kapjen e rreth 250 të robërve nga militantët.