Çmimi për t’u ngjitur në Malin Everest do të rritet së shpejti për herë të parë në një dekadë, kanë njoftuar autoritetet e Nepalit, raporton “BBC”.
Nga shtatori, ata që kërkojnë ta pushtojnë majën më të lartë në botë (8848 metra) gjatë kulmit të sezonit, duhet të paguajnë 15 mijë dollarë. Është rritje për 36 për qind. Deri më tash alpinistët kanë paguar 11 mijë dollarë.
Ata që duan ta pushtojnë Everestin jashtë kulmit të sezonit - që është nga prilli deri në maj - po ashtu duhet të paguajnë një shifër më të madhe. Për të tentuar pushtimin e Everestit nga shtatori deri në nëntor duhet paguar një tarifë 7500 dollarë, ndërsa nga dhjetori deri në shkurt një shifër prej 3750 dollarë.
Të hyrat nga këto tarifa janë prej burimeve kyçe të Nepalit.
Ekspertët e alpinizmit shpesh kritikojnë Qeverinë e Nepalit se lejon tepër alpinistë në Everest. Lëshohen rreth 300 leje çdo vit.
Është e paqartë nëse kjo rritje e tarifës, që ka qenë në diskutim që nga viti i kaluar, do t’i zvogëlojë kërkesat.