Një prokuror grek ka hedhur poshtë akuzat ndaj nëntë burrave, shtetas egjiptianë, të akuzuar për shkaktimin e fundosjes së një anijeje, si pasojë e së cilës qindra emigrantë humbën jetën vitin e kaluar.
Menjëherë pas fillimit të gjyqit në Kalamata, prokurori rekomandoi rrëzimin e akuzave, duke thënë se
Greqia nuk kishte juridiksion për këtë çështje meqë anija e mbipopulluar u fundos jashtë ujërave territoriale greke.
Nëse do të dënoheshin, të pandehurit do të përballeshin me burgim të përjetshëm lidhur me akuza të shumta mbi fundosjen e anijes “Adriana” më 14 qershor të vitit të kaluar.
Më shumë se 500 persona besohet se janë fundosur së bashku me anijen, e cila po udhëtonte nga Libia në Itali, raporton “Associated Press”.
104 persona arritën të shpëtoheshin, kryesisht emigrantë nga Siria, Pakistani dhe Egjipti dhe 82 trupa u gjetën më vonë.