Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se akuzat ndaj tij në rastin gjyqësor për “paratë e heshtura”, janë të manipuluara, derisa e akuzoi gjyqtarin se ishte kofliktuoz.
Gjatë një paraqitjeje para gazetarëve të mërkurën, derisa anëtarët e jurisë po diskutonin për orë të tëra për të arritur në një verdikt për rastin ndaj tij, Trumpi ka thënë se as Nënë Tereza nuk do të mund t’i mposhte këto akuza, raporton AP.
“Ajo që po ndodh këtu është armatosje në një nivel që askush nuk e ka parë më parë dhe nuk duhet të lejohet të ndodh. Nënë Tereza nuk do t’i kapërcente dot këto akuza. Këto akuza janë të manipuluara. E gjithë kjo është e manipuluar”, ka deklaruar Trumpi.
Sipas tij, akuzat penale u ngritën nga administrata e presidentit Joe Biden për ta goditur atë, si kundërshtarin kryesor në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Trumpi akuzohet nga zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit për 34 vepra penale shtetërore për falsifikim të të dhënave të biznesit.
Prokurorët pretendojnë se pagesat nuk ishin mbajtje për shërbimet ligjore, siç u regjistruan, por ishin rimbursime për ta paguar yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.