Liderët botërorë do ta hapin takimin vjetor në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën, nën hijen e rritjes së ndarjeve globale, luftës në Gaza, Ukrainë dhe Sudan dhe kërcënimit nga një konflikt më i gjerë në Lindjen e Mesme, raporton AP.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka dhënë fjalimin hapës “Shteti i Botës” para presidentëve, kryeministrave, monarkëve dhe ministrave në “Samitin e së Ardhmes” të së dielës, duke thënë se “bota jonë është duke dalë jashtë binarëve – dhe se “kemi nevojë për vendime të vështira për t’u rikthyer në rrugën e duhur”.
Ai ka vënë në dukje konfliktet “që po shumohen, nga Lindja e Mesme deri në Ukrainë dhe Sudan, pa një fund të dukshëm” dhe sistemin e sigurisë globale, për të cilën ai ka thënë se “kërcënohet nga ndarjet gjeopolitike, pozicionimet bërthamore, krijimi i armëve të reja dhe teatrot e luftës”.
Ai gjithashtu ka folur për pabarazi të mëdha, mungesë të një sistemi global për t’iu përgjigjur kërcënimeve në zhvillim dhe madje edhe atyre ekzistuese, si dhe ndikimin shkatërrues të ndryshimit klimatik.
Një moment i rëndësishëm në hapjen e asamblesë të martën pritet të jetë dalja e fundit madhore e presidentit amerikan Joe Biden në skenën botërore, një platformë të cilën ai e ka ndjekur për dekada.
Ambasadorja amerikane, Linda Thomas-Greenfield u ka thënë javën e kaluar gazetarëve se fokusi i SHBA-së në asamble do të jetë përfundimi i “fatkeqësive të luftës”, që prek gati 2 miliardë njerëz që jetojnë në zonat e prekura nga konflikti.
“Njerëzit më të cenuar në botë po mbështeten te ne për të bërë progres, për të bërë ndryshim, e të sjellim pak shpresë për ta”, ka thënë ajo.
Në mesin e folësve në ditën e hapjes kanë qenë presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mbreti i Jordanit, Abdullah II dhe presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian.
Lideri iranian e ka akuzuar Izraelin të hënën se po përpiqet ta përshkallëzojë luftën në Lindjen e Mesme dhe se po bën “gracka” për ta çuar vendin e tij në një konflikt më të gjerë. Ai ka vënë në dukje eksplodimet vdekjeprurëse të pejxherëve, radiolidhjeve dhe pajisjeve të tjera elektronike në Liban javën e kaluar, për të cilën ka fajësuar Izraelin dhe vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran, pas inaugurimit të Pezeshkianit.
“Ne nuk duam të luftojmë”, ka thënë presidenti iranian. “Është Izraeli që dëshiron t’i tërheqë të gjithë në luftë dhe ta destabilizojë rajonin... Ata po na tërheqin në një pikë të cilën nuk dëshirojmë ta arrijmë”. Irani mbështet Hamasin në Gaza dhe militantët e Hezbollahut në Liban.
Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit, David Miliband ka rikujtuar që në konferencën e San Franciscos në vitin 1945, ku është themeluar OKB-ja, ish-presidenti i atëhershëm Harry Truman u është lutur delegatëve ta refuzojnë premisën se “fuqia bën të drejtën” dhe ta kthejnë atë në “e drejta bën fuqinë”, e cila ishte e përfshirë në Kartën e OKB-së.
“Gati 80 vjet më vonë, ne i kemi parë pasojat e tmerrshme të dështimit në ndryshimin e këtij ekuacioni”, ka thënë Miliband. “Në kontekstet si Gaza, Sudani dhe Ukraina, fuqia është duke e bërë të drejtën”.
Duke u përballur me nevojat humanitare në rritje, konfliktin e pakontrolluar, ndryshimin e pazbutur klimatik dhe varfërinë ekstreme në rritje, Milibandi i ka sfiduar liderët botërorë duke pyetur: “Si do t’i forconi, jo do t’i dobësoni, parimet e Kartës së OKB-së për 80 vjetët e ardhshme?”
Takimi vjetor i Asamblesë, që përfundon më 30 shtator, ka ardhur dy ditë pas Samitit të së Ardhmes, i cili ka miratuar një plan që synon t’i bashkojë kombet e përçara të botës për t’i trajtuar sfidat e shekullit të 21-të nga konfliktet dhe ndryshimet klimatike deri te inteligjenca artificiale dhe të drejtat e grave.
“Pakti për të Ardhmen” me 42 faqe, i sfidon liderët e 193 kombeve anëtare të OKB-së t’i kthejnë premtimet në vepra që bëjnë ndryshim në jetët e më shumë se 8 miliardë njerëzve të botës.
“Ne jemi këtu ta rikthejmë multilateralizmin nga humnera”, ka thënë Guterres.
Duke e miratuar paktin, liderët e kanë hapur derën, ka thënë ai. “Tani është fati ynë i përbashkët që ta kalojmë atë. Kjo kërkon jo vetëm marrëveshje, por veprim”.
Në mbledhjen globale të OKB-së vitin e kaluar, Ukraina dhe presidenti i saj, Volodymyr Zelenskyy, kanë qenë në qendër të vëmendjes. Por, me afrimin e përvjetorit të parë të sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në qendër të vëmendjes sigurisht që do të jetë lufta në Gaza dhe përshkallëzimi i dhunës përgjatë kufirit izraelito-libanez, e cila tani po kërcënon të përhapet në tërë Lindjen e Mesme.
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas pritet të flasë të enjten në mëngjes dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu të enjten pasdite.
Zelenksyy do të flasë dy herë. Ai do të flasë të martën pasdite në takimin e Këshillit të Sigurisë së SHBA-së të thirrur nga SHBA-ja, Franca, Japonia, Malta, Koreja e Jugut dhe Britani, ku priten të marrin pjesë ministrat e jashtëm të këtyre vendeve dhe gjithashtu do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të mërkurën në mëngjes.