Diplomatët nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Ukraina dhe SHBA-ja do të zhvillojnë bisedime të reja në Londër të mërkurën me qëllim sigurimin e një armëpushimi në luftën trevjeçare midis Ukrainës dhe Rusisë.
Bisedimet vijnë mes spekulimeve se Rusia mund të jetë e gatshme të ndalojë pushtimin e saj përgjatë vijave aktuale të frontit në këmbim të lëshimeve të rëndësishme, raporton BBC.
Ritmi i përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund luftës është duke u përshpejtuar, por ka pak qartësi se ku po shkojnë ose nëse do të kenë sukses.
I dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff dhe sekretari i tij i Shtetit, Marco Rubio, pritej në Londër, por ata u tërhoqën, duke dërguar në vend të tij të dërguarin e Trumpit për Ukrainën, gjeneralin Keith Kellogg.
Të martën në mbrëmje Rubio ka folur me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, rreth asaj që ai shpresonte se do të ishin "takime teknike thelbësore dhe të mira".
Vetë Lammy e ka quajtur bisedën "produktive", duke u zhvilluar përpara një "momenti kritik për Ukrainën, Britaninë dhe Sigurinë Euro-Atlantike”.
Sekretari amerikan i Shtetit ka thënë se do të riplanifikonte udhëtimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar në muajt e ardhshëm.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Ëitkoff do të udhëtojë në Moskë këtë javë për takimin e tij të katërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
E gjithë kjo vjen mes raporteve në “Financial Times” se Rusia mund të jetë gati të ndalojë pushtimin e saj përgjatë vijave aktuale të frontit dhe të heqë dorë nga disa ambicie territoriale në këmbim të njohjes së SHBA-së të sovranitetit rus mbi Krimenë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se asnjë propozim i tillë nuk ishte ndarë me të dhe ka përjashtuar njohjen e Krimesë si territor rus.
Putini ka shpallur në mënyrë të njëanshme një armëpushim të përkohshëm për fundjavën e Pashkëve, por sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey ka thënë se inteligjenca ushtarake britanike nuk kishte gjetur asnjë provë për ndalimin e sulmeve.
Vlerësohet se qindra mijëra njerëz janë vrarë ose plagosur nga të gjitha anët që kur Rusia ka pushtuar Ukrainën më 24 shkurt 2022, dhe rreth shtatë milionë ukrainas aktualisht janë të listuar si refugjatë në mbarë botën.
Konflikti daton më shumë se një dekadë më parë, në vitin 2014, kur u rrëzua presidenti pro-rus i Ukrainës. Rusia më pas aneksoi Krimenë dhe mbështeti militantët në luftimet e përgjakshme në Ukrainën lindore.
Shtyhen bisedimet ministrore mes SHBA-së dhe Evropës për Ukrainën
Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka konfirmuar se bisedimet ministrore të paqes në Ukrainë me homologët amerikanë dhe evropianë që ishin planifikuar të zhvilloheshin të mërkurën janë shtyrë, pasi sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, ka thënë se nuk mund të merrte pjesë.
Në një deklaratë të shkurtër të lëshuar nga ministria e Jashtme, është njoftuar se takimet ministrore që ishin planifikuar të fillonin të mërkurën në mëngjes nuk do të mbaheshin tani, raporton The Guardian.
Duke postuar në mediat sociale pak para mesnatës, sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy ka thënë se ka pasur diskutime produktive me Rubion, por ka lënë të kuptohet se ato do të zhvilloheshin në një nivel pak më të ulët.
"Bisedimet vazhdojnë me ritëm dhe zyrtarët do të takohen nesër në Londër. Ky është një moment kritik për Ukrainën, Britaninë dhe sigurinë euroatlantike”, ka thënë ai.
Britania i ka vënë një theks të rëndësishëm bisedimeve, teksa delegacione nga Franca dhe Gjermania do të merrnin pjesë gjithashtu.
Ulja e nivelit të diskutimeve vjen pas raportimeve se Rusia është e gatshme të braktisë pretendimet e saj territoriale ndaj tri rajoneve të Ukrainës që pushton vetëm pjesërisht në këmbim të njohjes së aneksimit të Krimesë nga SHBA-ja.
Rubio ka njoftuar se do të riplanifikonte udhëtimin në Mbretërinë e Bashkuar në muajt e ardhshëm.