Teksa sondazhet i paraqesin republikanin Trump dhe demokraten, zëvendëspresidenten aktuale Kamala Harris, në garë tejet të ngushtë, sipas zyrtarëve e marta të paktën një gjë e ka të paparashikueshme: Ajo që Trumpi dhe aleatët e tij do të thonë në natën e zgjedhje kur votat të jenë duke u numëruar
Tek ka mbetur pak deri më 5 nëntor, ditën e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zyrtarët në shtetet me betejën më të paqartë – siç quhen shtetet e papërcaktuara – po përgatiten për keqinformim, teori konspirative, kërcënime e madje edhe për dhunë.
Në Filadelfia, Detroit dhe Atlanta, tri caqet kryesore të ish-presidentit Donald Trump për pretendimet e rreme për vjedhje votash, zyrtarët kanë fokusuar një pjesë të madhe të punës në operimet kundër përsëritjes së kaosit të 2020-s. Qendrat për numërim të votave në Filadelfia, tani janë të rrethuara me gardhe me tela me gjemba. Në Detroit dhe Atlanta, disa prej zyrave të zgjedhjeve mbrohen me xhama antiplumb.
Në Wisconsin, punonjësit e zgjedhjeve janë trajnuar në teknikat antipërshkallëzim dhe qendrat e zgjedhjeve janë rregulluar ashtu që të kenë rrugë ikjeje nëse përshkallëzon situata.
Në Arizonë, që ishte epiqendër e pretendimeve të rreme të 2020-s nga republikanët për vjedhje votash, sekretari i shtetit po punon me zyrtarët lokalë për të luftuar keqinformatat, përfshirë fotografitë e rreme me qëllime mashtrimi.
Teksa sondazhet i paraqesin republikanin Trump dhe demokraten, zëvendëspresidenten aktuale Kamala Harris, në garë tejet të ngushtë, sipas zyrtarëve e marta të paktën një gjë e ka të paparashikueshme: Ajo që Trumpi dhe aleatët e tij do të thonë në natën e zgjedhje kur votat të jenë duke u numëruar.
“Nëse është ngushtë, atëherë do të hedhin gjithçka që kanë, apo jo?” ka thënë Lisa Deeley demokrate dhe komisionere në Filadelfia. “Nuk ka asgjë që mund të bëjmë për ta ndalur ish-presidentin nga fushata e tij e keqinformimit dhe dezinformimit. Por ajo që mund ta bëjmë është të vazhdojmë t’i shtyjmë prapa me fakte”, ka thënë tutje ajo në një intervistë.
Deeley dhe 30 zyrtarë të tjerë të zgjedhjeve nga të dyja partitë, i kanë thënë agjencisë “Reuters” se po përgatiten për përsëritje të 2020-s, kur Trumpi dhe ekipi i tij shtynë përpara akuza të rreme për “fletëvotimet e natës” dhe “makineritë e manipulimit” si përpjekje për të përmbysur humbjen. Si pasojë e këtyre pretendimeve, zyrtarë të shumtë ishin cak i kërcënimeve dhe sulmeve, dhe përkrahësit e Trumpit u bindën se në zgjedhje ka pasur vjedhje.
Ekipi i fushatës së Trumpit nuk iu është përgjigjur direkt pyetjeve për planet për të sfiduar rezultatet. Në një deklaratë, Danielle Alvarez, këshilltare e lartë për fushatën e Trumpit dhe pjesë e Komitetit Kombëtar Republikan, ka thënë se partia ka mbledhur 230 mijë mbikëqyrës, staf dhe ekspertë ligjorë për të “sjellë transparencën dhe llogaridhënien” në zgjedhje.
“Përderisa Demokratët të mos ndalen në përpjekjen për të dobësuar zgjedhjet, ne do të luftojmë për proces të drejtë dhe të sigurt, ku çdo votë e ligjshme do të numërohet si duhet”, ka thënë ajo.
Përgjatë gjithë kampanjës, Trumpi ka përsëritur pretendimet e rreme se ai i ka fituar zgjedhjet e 2020-s derisa ka sinjalizuar se mund të kontestojë një humbje potenciale përballë Harrisit.
Të premten, në një postim në platformën e tij sociale “Truth”, ai ka shkruar se ka pasur “mashtrim të shfrenuar” më 2020 dhe ka kërcënuar zyrtarët e zgjedhjeve dhe të tjerët “të përfshirë në ciklin e sjelljeve të paskrupullta” me ndjekje.
Zyrtarët e zgjedhjeve kanë thënë se frika e madhe qëndron nëse rezultatet do të dalin ngushtë e se kjo do të çojë në rinumërime për disa zona, përmes gjykatave. Komiteti Kombëtar Republikan tashmë ka vënë në shënjestër disa zyrtarë me padi në aspekte të ndryshme të procesit të votimit, që nga Demokratët po shihet si rrezik se Republikanët do ta kundërshtojnë humbjen potenciale. Mbikëqyrësit republikanë të zgjedhjeve, që përcjellin procesin e votimit dhe numërimit, janë trajnuar që të jenë agresivë në proces dhe në mesin e tyre ka aktivistë që vazhdojnë t’i refuzojnë rezultatet e 2020-s, sipas rishikimit të dokumenteve që u ka bërë “Reutersi”.
Fushëbetejat urbane
Tensionet vërehen kryesisht në Filadenflia, Atlanta dhe Detroit, qendrat kryesore të dominuara nga Demokratët në mes të shteteve të papërcaktuara. Trumpi i ka akuzuar këto vende se kanë lejuar mashtrim me vota më 2020 dhe ka bërë njëjtë edhe në nisje të fushatës e deri tash.
Në një tubim në Iowa në dhjetor, Trumpi i kishte lutur ndjekësit që të shkojnë në këto tri qytete dhe “ta mbrojnë votën”. Fraza kishte alarmuar Demokratët që kanë bërë thirrje se kjo mund të nxisë telashe në proces të votimit apo edhe të pengojë numërimin.
Daniel Baxter, zyrtar i lartë në Detroit për çështjet e votimeve, ka thënë se qyteti po përgatitet për telashe potenciale. Zyrat e zgjedhjeve janë përforcuar me roje dhe xhama anti-plumb. Procesi i numërimit të votave me postë do të bartet në zona më të sigurta. Në vitin 2020, përkrahësit e Trumpit kishin bërë përpjekje të pengonin procesin duke gjuajtur në drejtim të dritareve dhe duke bërë thirrje “që të ndalet numërimi”.
“Ne po përgatitemi për revoltë”, ka thënë Baxter. “Duam të sigurohemi që të jemi të përgatitur për më të keqën, teksa shpresojmë për më të mirën”. Baxter ka thënë se nuk është i lidhur me asnjërën parti.
Në një takim online me punëtorët e zgjedhjeve, një zyrtar i Komitetit Republikan i ka paralajmëruar të tjerët se Detroitit nuk duhet besuar. “Sepse ai qytet, nëse mund ta bëja... e dini, do ta digjja rrafsh me tokë, do ta bëja”, kishte thënë Morgan Ray, drejtor për çështje të integritetit të zgjedhjeve për Michigan në komitet, sipas përgjimeve të kapura nga “Reutersi”. Ray dhe Komiteti nuk kanë komentuar më këtë çështje publikisht.
Trumpi po ashtu kishte vënë theksin te Detroiti, qyteti me shumicën më të madhe amerikane, duke thënë më 10 tetor se shteti do të bëhej “sikur Detroiti” nëse Harrisi fiton.
Demokratja Janice Winfrey nga Detroiti ka thënë se beson që racizmi ishte në maje të gjuhës së Trumpit në akuzat ndaj qyteteve. “Ai është lloji i personit që mendon se lehtësisht mund t’i frikësojë detroitasit sepse ne jemi kryesisht qytet me ngjyrë”, ka thënë ajo në një intervistë. “Por ne nuk frikësohemi prej tij”.
Ekipi i fushatës së Trumpit nuk u është përgjigjur akuzave të Winfreyt.
Filadelfia e ka rishikuar çështjen e numërimit të votave qëkur vonesat në vitin 2022 ia dhanë rastin Trumpit dhe aleatëve të tij të nisin teori konspirative dhe që bënë që ndjekësit e tij t’i kenë cak zyrtarët e zgjedhjeve. Në vitin 2020, nëpunësit zgjedhorë në Filadelfia dhe kudo tjetër u përballën me ortek votash me postë, falë rregulloreve më liberale të votimit me postë – për shkak të pandemisë.
Në natën e zgjedhjeve më 2020, Trumpi e shpalli veten fitues, edhe pse mijëra fletëvotime ishin pa u numëruar në Filadelfia. Qytetit iu deshën pesë ditë të plota për numërim për ta sqaruar se Bideni ka fituar në Pensilvania, duke ia siguruar edhe fitoren për Shtëpinë e Bardhë.
Që nga ajo kohë, qyteti i ka zhvendosur punët e zgjedhjeve në një magazinë, të siguruar me gardhe me tela me gjemba, 15 milje larg qendrës së kongresit në qendër të qytetit, ku u numëruan zgjedhjet kare vjet më parë dhe ku pati protestues. Në Pensilvani, ndryshe prej çdo shteti tjetër, ligji i shtetit ua ndalon zyrtarëve të nisin numërimin e votave me postë deri në orën 7 të mëngjesit të ditës së zgjedhjeve.
Michigani, për dallim, më 2022 ka miratuar një ligj që lejon para-përpunimin e votave me postë. Punonjësit e zgjedhjeve në Detroit tani kanë tetë ditë për t’i verifikuar dhe përmbledhur fletëvotimet përpara ditës së zgjedhjeve. Zyrtarja Winfrey ka thënë se shpreson që rezultatet të dihen në orën 23 të ditës së zgjedhjeve.
Zyrtarët e Filadelfias kanë thënë po ashtu se presin që të bëjnë të ditur shifra shumë më shpejt sivjet, e që të gjitha votat të jenë të numëruara deri të mërkurën ose të enjten. Qyteti pret të marrë rreth 225 fletëvotime me postë, shumë më pak se 375 mijë që ishin katër vjet më parë. Qyteti ka blerë makineri të reja, për t’i skanuar më shpejt fletëvotimet dhe teknologji të re që sipas zyrtarëve e përshpejton procesin e kontrollit të fletëvotimeve me postë.
Komisionerët e Filadelfias kanë thënë se shpresojnë që shpallja e rezultateve do të bëhet shumë më shpejt dhe do të zvogëlojë mundësinë për të përhapur dezinformata, në periudhën mes mbylljes së qendrave dhe shpalljes së fitoreve.
“Kjo është dritarja që lejon përhapjen e keqinformatave dhe që punonjësit të kërcënohen”, ka thënë republikani Seth Bluestein, në komisionin zgjedhor prej tre personave në qytet. “Pra, kjo është arsyeja përse është shumë e rëndësishme për ne që ta reduktojmë këtë hapësirë dhe që të numërojmë votat sa më shpejt që të jetë e mundshme”.
Në Fulton County të Georgias, zona më e popullarizuar me shumicë me ngjyrë, zyrtarët po përgatiten për keqinformatat pro-Trumpit. Në vitin 2020, avokati i Trumpit, Rudolph Giuliani, akuzoi në mënyrë të rreme dy punonjës të zgjedhjeve të Georgias se kanë numëruar vota të paligjshme, duke nxitur kërcënime me vdekje ndaj tyre dhe duke shtuar pretendimet e rreme se Trumpi ka fituar në këtë shtet. Bordi zgjedhor i Georgias, tani i udhëhequr nga tre republikanë pro-Trump, kanë bërë thirrje për hetime në këtë vend.
Sondazhet në këtë shtet kanë treguar garë tejet të ngushtë. Në natën e zgjedhjeve, nëse Harrisi del të jetë udhëheqëse, sipas Sara Tindall Ghazalit, demokrate në bordin zgjedhor të Georgias, mund të pritet “që të shihen keqinformata” se zgjedhjet po vidhen.
Kryetarja e bordit zgjedhor të Fultonit, demokratja Sherri Allen, ka thënë se shteti ka marrë masa për të luftuar skepticizmin. Numërimi i votave do të jetë transparent e do të shfaqet në ekrane. “Mund ta shihni këtu në ekrane. S’e kemi pasur në të kaluarën”, ka thënë Allen.
“Botë tjetër tani”
Zyrtarët zgjedhor në Arizona, Nevada, Wisconsin dhe Karolinën e Veriut po përgatiten gjithandej.
Në Karolinën e Veriut, disa zyrtarë zgjedhorë kanë instaluar butona paniku, xham anti-plumb, kamera të sigurisë e dyer të rënda, sipas zëdhënësit të bordit zgjedhor të shtetit, Patrick Gannon. Zyrtarët janë trajnuar për t’i zbutur tensionet e aktivistëve të nervozuar, sipas tij. Policia i ka udhëzuar në pritje të sfidave.
Nevada, ku në zgjedhjet e 2020-s, rezultatet nuk u bënë të ditura për katër ditë, ka ndryshuar ligjin dhe procedurat për të përshpejtuar numërimin dhe për të rritur besimin në rezultate. Për herën e parë, votat me postë kanë nisur të numërohen dy javë para ditës së zgjedhjeve. Një databazë e re e votuesve ua mundëson qytetarëve të përcjellin fletëvotimin dhe të sigurohen se ato numërohen me saktësi.
Në Arizona, zyra e sekretarit të shtetit, ka thënë se i ka trajnuar zyrtarët për t’iu përgjigjur dezinformatave të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, duke përfshirë edhe videot e fotografitë e manipuluara.
Dhe në Wisconsin, shteti ka miratuar një projektligj për mbrojtjen e zgjedhjeve, duke rritur gjobat për njerëzit që tentojnë të pengojnë procesin e votimit. Madje në disa zona është ndryshuar edhe sistemi i tavolinave të punëtorëve.
“S’kemi përjetuar kurrë diçka të tillë”, ka thënë nëpunësja Tamaney Augustin. “Por tani jetojmë në një botë tjetër”.