Hetuesit amerikanë po përpiqen të zbulojnë se si disa dokumente shumë të klasifikuara të inteligjencës rrjedhën në internet, raporton “BBC”.
Dokumentet, të cilat u shfaqën të premten në aplikacionin e mesazheve “Telegram”, zbulojnë detaje të planeve të Forcave Ajrore të Izraelit për sulmet e ardhshme me raketa në Iran.
Të hënën, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se presidenti Joe Biden ishte “thellësisht i shqetësuar” për rrjedhjen.
Zyrtarët nuk kanë arritur ta përcaktojnë nëse dokumentet u publikuan për shkak të hakimit apo rrjedhjes, tha Kirby.
Për tre javë tashmë, Izraeli është zotuar se do ta godasë Iranin fort si hakmarrje për sulmin masiv me raketa balistike që Irani kishte bërë ndaj Izraelit më 1 tetor.
Irani tha se kjo ishte përgjigje ndaj vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, më 27 shtator.
A janë dokumentet origjinale?
Pothuajse është e sigurt se po. Analistët e ushtrisë thonë se shprehja e përdorur në titujt duket e besueshme dhe është në përputhje me dokumentet e ngjashme të klasifikuara që kishin rrjedhur në të kaluarën.
Të titulluara si “Top Sekret”, përfshijnë akronimin “FGI”, që qëndron për “Inteligjencën e Qeverisë së Jashtme”.
Dokumentet duket se u janë shpërndarë agjencive të inteligjencës së aleancës “Five Eyes”, pesë vendeve perëndimore që ndajnë rregullisht inteligjencë, përkatësisht SHBA-ja, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re.
Akronimi “TK” në dokument i referohet “Talent Keyhole”, një fjalë e koduar që mbulon Inteligjencën e Sinjaleve të bazuara në satelitë (SIGINT) dhe Inteligjencën e Imazheve (IMINT).
Çfarë na thonë?
Dy dokumentet janë një vlerësim i klasifikuar i SHBA-së për përgatitjet e Izraelit për t’i goditur objektivat në Iran, bazuar në inteligjencën gjeohapësinore të mbledhur dhe analizuar më 15-16 tetor.
Ajo që veçohet është përmendja e dy sistemeve të raketave balistike të lëshuara nga ajri (ABLM): “Golden Horizon” dhe “Rocks”.
“Rocks” është një sistem raketor me rreze të gjatë e prodhuar nga kompania izraelite “Rafael” dhe i projektuar për të goditur një sërë objektivash si mbi dhe nën tokë. “Golden Horizon” mendohet se i referohet sistemit të raketave “Blue Sparrow” me një rreze veprimi prej 2000 kilometrave.
Rëndësia e kësaj është se do të tregonte se Forcat Ajrore të Izraelit po planifikojnë të kryejnë një version të ngjashëm, por shumë të zgjeruar të sulmit të saj “ABLM” që kryen në një vend iranian të radarëve pranë Isfahanit në prill.
Duke lëshuar këto armë nga një distancë e gjatë dhe larg kufijve të Iranit, do të evitonte nevojën që aeroplanët luftarakë izraelitë të fluturonin mbi disa vende të rajonit, si shembull Jordani.
Dokumentet gjithashtu nuk raportojnë asnjë shenjë të përgatitjeve nga Izraeli për të aktivizuar parandaluesin e tij bërthamor.
Me kërkesë të Izraelit, Qeveria e SHBA-së nuk e pranon kurrë publikisht se aleati i saj i ngushtë Izraeli posedon armë bërthamore, kështu që kjo rrjedhje ka shkaktuar siklet në Washington.
Çfarë nuk na tregojnë?
Në këto dokumente mungon dukshëm çdo përmendje se cilat objektiva synon t’i godasë Izraeli në Iran dhe kur.
SHBA-ja nuk e ka fshehur kundërshtimin e saj ndaj shënjestrimit të objekteve kërkimore bërthamore të Iranit apo ndaj infrastrukturës së naftës.
Kjo i lë bazat ushtarake, me shumë gjasë ato që i përkasin Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) dhe të milicisë së lidhur me të, Basij, si shënjestra të mundshme, pasi këto dy institucione shihen si shtylla të Republikës Islamike, duke projektuar shtrirjen e saj ushtarake jashtë vendit dhe duke shtypur protestat popullore.
Sa i përket kohës, shumë kishin pritur që Izraeli të kryente hakmarrjen e premtuar. Por, në prill, Irani priti 12 ditë përpara se ta godiste Izraelin me afro 300 dronë e raketa si hakmarrje ndaj një sulmi ajror izraelit në një ndërtesë diplomatike iraniane në Damask, gjatë të cilit u vranë disa komandantë të lartë të IRGC-së.
Një pjesë e vonesës në përgjigjen e Izraelit ka të ngjarë të jetë për shkak të shqetësimeve të SHBA-së për përshkallëzim kur kanë mbetur më pak se një muaj deri te zgjedhjet presidenciale në SHBA.
A ishte rrjedhja e qëllimshme?
Ndoshta po, nga dikush që donte t’i prishte planet e Izraelit.
Irani ka një aftësi të madhe dhe të sofistikuar të luftës kibernetike, kështu që po hetohet edhe mundësia e një sulmi armiqësor. Këto dokumente nëse janë të vërteta, siç mendohet se janë, tregojnë se pavarësisht marrëdhënieve të ngushta të mbrojtjes mes SHBA-së dhe Izraelit, Washingtoni ende e monitoron aleatin e tij për të konfirmuar nëse po i jepen informatat e plota.
Ato tregojnë se planet e Forcave Ajrore të Izraelit për të kryer disa lloje të sulmeve hakmarrëse kundër Iranit janë në fazën e avancuar dhe po vendosen masa kundër një përgjigje të mundshme iraniane.
Shkurtimisht: nëse dhe kur Izraeli i zbaton këto plane, atëherë Lindja e Mesme do të përjetojë edhe një herë një periudhë të tensioni ekstrem.