Pas dy vjetësh përplasjesh etnike, kryeministri i shtetit ka dhënë dorëheqje nën presion. Por çdo fshat është i armatosur. Askush nuk i beson shtetit. Dhe paqja në Manipur të Indisë mbetet e largët.
Sa herë që 13-vjeçarja Selina Mairembam përpiqet të shkruajë ose të hajë me dorën e djathtë, dhimbja dhe plagët ia kujtojnë asaj ditën kur për pak humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një bombe.
Ajo humbi ndjenjat menjëherë. Kur u zgjua, kishte gjak kudo. Për një moment mendoi se kishte vdekur.
Dikur llafazane, Selina tani mezi flet. Teksa mban copëzat e bombës që çanë krahun e saj, ajo thotë: “Jam gjithmonë e frikësuar. Nuk dua të kem frikë”.
Selina është stërmbesa e Mairembam Koireng Singh, kryeministri i parë i shtetit verilindor indian të Manipurit. Më 7 shtator 2024, derisa ajo po diskutonte me një prift mbi organizimin e ceremonisë së vdekjes së gjyshes së saj, një “raketë e madhe” u shfaq nga hiçi. Asaj nuk i kujtohet asnjë detaj, vetëm tingulli shurdhues, aq i fortë sa mendoi se ia kishte këputur veshët.
Bomba e improvizuar goditi shtëpinë e ish-kryeministrit në zemër të qytetit Moirang, pranë liqenit Loktak, liqeni më i madh i ujërave të ëmbla në verilindje të Indisë.
Selina pësoi plagë të rënda, ndërsa raketa vrau priftin 72-vjeçar, RK Rabei. Trupi i tij, i mbuluar me gjak, u gjet nga nusja dhe mbesa e tij. Katërvjeçarja Gianna Rajkumari shpesh zgjohet natën duke bërtitur, e përhumbur nga imazhi i trupit të gjymtuar të gjyshit të saj.
Palmei Houjellu, nëna e Giannas, ishte shtatzënë në muajin e nëntë në atë kohë. 35-vjeçarja nga Moirangu kishte shkuar me të bijën për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga vjehrri.
Vetëm pak minuta para sulmit, Houjellu dhe Gianna kishin shkuar në shtëpi, pesë minuta larg vendit të ngjarjes, për të marrë disa gjëra për ceremoninë. Kjo i shpëtoi.
Një ditë më vonë, Houjellu lindi një djalë. Hija e vdekjes është e pranishme ende në shtëpinë e tyre, edhe pse tashmë frymon një jetë e re.
“Vajza ime pa trupin e gjakosur të gjyshit të saj”, thotë ajo. “Ajo ende zgjohet duke bërtitur natën. Ajo vazhdon të pyesë: ‘Kush e vrau Nanan? Pse?’ Dhe unë nuk kam përgjigje për të”.
“A e meritonte ajo këtë?”
Houjellu i përket komunitetit Meitei, grupi etnik më i madh në Manipur, shtet i shkatërruar nga një konflikt vdekjeprurës etnik gjatë dy vjetëve të fundit. Dhuna në këtë shtet përshkallëzoi si pasojë e një mosmarrëveshjeje. Më 14 prill të vitit 2023, Gjykata e Lartë e Manipurit udhëzoi qeverinë e shtetit që të rekomandonte statusin e Fisit të Planifikuar për komunitetin Meitei, vendim ky që u kritikua më vonë nga Gjykata e Lartë.
Si kundërpërgjigje, komunitetet e tjera fisnore organizuan protesta më 3 maj, derisa komuniteti Meitei i kundërshtoi ato. Shpërthyen shpejt edhe përleshjet midis grupeve Kuki dhe Meitei pranë rajoneve të Churachandpurit dhe Bishnupurit, të përcjella nga zjarrvënie dhe dëme të shumta. Konflikti nuk ka mbaruar kurrë plotësisht, më shumë se 260 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 65 mijë janë zhvendosur.
Mes presionit në rritje dhe kërcënimit për mocion mosbesimi nga partia opozitare e Kongresit në legjislaturën e shtetit, kryeministri N Biren Singh, një futbollist i kthyer në politikan, që i takon komunitetit Meitei dhe është akuzuar për ndezjen e tensioneve në shtet, dha dorëheqje në muajin shkurt.
Ashtu si bomba që goditi vjehrrin e Houjellut, një gamë e gjerë mortajash, granatash, e raketash të bëra vetë, dhe mijëra armë me mijëra fishekë kanë rënë në duart e komuniteteve ndërluftuese gjatë 20 muajve të fundit.
Forcat e sigurisë kanë arritur të parandalojnë përshkallëzimin e situatës javët e fundit, ndërkohë që zemërimi i njerëzve ka prekur politikën e Singhit. Por me fshatrat e tëra të armatosura dhe kredibilitetin e shtetit mes rajoneve të varfra, ekspertët ushtarakë dhe komunitetet lokale thonë se Manipuri është një kuti e zezë që mund të shpërthejë përsëri, në çdo kohë.
“Nuk ka ndodhur kurrë më parë”
Një zyrtar i lartë i sigurisë, i cili ka qenë dëshmitar i konfliktit në Manipur që kur ai shpërtheu për herë të parë në vitin 2023, i tha Al Jazeeras në kushte anonimiteti se “në vetëm disa qaste, para syve tanë, ne pamë shtetin që u shkri në një konflikt të paprecedentë”. “Ne u ndiem të pafuqishëm, sepse këta janë njerëzit tanë”.
Zyrtari e quajti atë një dështim të shtetit, i shënuar nga mungesa e vullnetit dhe synimit për të vepruar me vendosmëri.
“Dy grupe etnike janë praktikisht në luftë dhe forcat e sigurisë kanë mbetur në mes, duke u përpjekur që të qetësojnë tensionet si lloj ndërmjetësish. Prioriteti ynë ka qenë gjithmonë parandalimi i dhunës dhe ruajtja e paqes në terren. Por nëse shteti do të kishte marrë një qasje më vendimtare që në fillim, kaq shumë armë nuk do të kishin rënë në duart e civilëve dhe zhvendosja masive mund të ishte shmangur”.
Majori Digvijay Singh Rawat, një tjetër ushtar indian i dekoruar që i përket Batalionit të 21-të të Regjimentit të Forcave Speciale, është vlerësuar me çmimin e Kirti Chakra, i dhënë për guxim dhe trimëri të jashtëzakonshme, dedikuar shërbimit të tij me ushtrinë në Manipur gjatë konfliktit aktual.
Ai e vërtetoi rrëfimin e zyrtarit të lartë të sigurisë, duke thënë se ai kurrë nuk ka parë diçka si ajo në Manipur. “Edhe ushtria shmang përdorimin e bombave me mortaja në fshatrat me civilë, madje edhe kur rebelët e armatosur mund të fshihen atje. Përdorimi i armëve të tilla në zona civile është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, thotë ai. “Por në Manipur, ne u përballëm me një përdorim të paprecedentë të mortajave, bombave dhe të gjitha llojeve të eksplozivëve të improvizuar nga civilët, pa asnjë frikë”.
“Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në asnjë pjesë të vendit, civilët të nisin këtë lloj lufte kundër njëri-tjetrit”.
Bombat shpesh nuk vranë aq shumë njerëz sa plumbat, vetëm sepse civilët nuk dinin t’i gjuanin me saktësi, thotë ai. “Por bombat që fluturonin në mes të ditës bënë punën e tyre, ato krijuan frikë të madhe”, shprehet Rawat.
Sipas qeverisë, më shumë se 6 mijë armë, 600 mijë fishekë, dhe më shumë se 28 mijë bomba dhe eksplozivë, duke përfshirë mortaja 51-milimetërshe, mortaja 5-centimetërshe, granata dore, granata trullosëse, predha me gaz lotsjellës e të tjera, janë sekuestruar nga policia në Imphal dhe kodra të vendit që kur shpërtheu dhuna.
Shumë nga armët e gjetura dhe të dorëzuara që nga fillimi i konfliktit janë shumë më të avancuara se ato të sekuestruarat nga autoritetet shtetërore. Këto përfshijnë M4, M16, pushkë snajper, mitraloza dhe pistoleta të kontrabanduara nga Mianmari dhe Bangladeshi. Megjithatë, asnjëra palë nuk ka dorëzuar armët më të sofistikuara që dihet se i posedojnë.
Përveç kësaj, të dyja palët kanë improvizuar edhe armët e tyre lokale dhe armët e rënda. Luftëtarët Kuki-Zo janë gjetur duke përdorur raketa të improvizuara të bëra nga tuba hekuri dhe metali të galvanizuar, të njohur si “pumpi”, ndërsa luftëtarët Meitei kanë zhvilluar mortajat e tyre të improvizuara me rrota.
Rezultati: Civilët, të armatosur me armë dhe të trajnuar nga grupet luftarake, kanë nisur sulme me mortaja dhe bomba kundër njëri-tjetrit. Fshatrave iu vihet zjarri gjatë natës. Trupat e civilëve, duke përfshirë gra të djegura, burra me koka të prera dhe fëmijë me kafkat e tyre të shtypura, gjenden në këto vende.
Al Jazeera ka arritur të ketë qasje në videot e burrave, si të komunitetit Meitei ashtu edhe atij Kuki, ku shihen duke brohoritur teksa gjuajnë mortaja dhe testojnë raketa të bëra vetë. Zyrtarët e sigurisë kanë verifikuar vërtetësinë e këtyre videove. Al Jazeera ka konfirmuar gjithashtu se shumë civilë të rinj të komuniteteve Meitei dhe Kuki vdiqën pasi bombat dhe raketat e tyre shpërthyen teksa po i gjuanin, sepse nuk dinin t’i përdornin siç duhet. Edhe në verilindje të Indisë, e cila ka një histori të gjatë të dhunës etnike, kjo, ‘qytetarët që përdorin armë të rënda kundër njëri-tjetrit’, është dëgjuar për herë të parë.
Dhe askush nuk është kursyer.
“Kjo luftë nuk ia vlente”
42-vjeçari LS Mangboi Lhungdim, kantautor që i takon komunitetit Kuki, nga qyteti i Churachandpurit, nuk kishte mbajtur kurrë armë derisa shpërtheu konflikti. Në mes të luftimeve, ai, si vullnetar, ndihmoi në transportin e furnizimeve thelbësore në vijën e parë të frontit.
Në gusht të 2023-tës, ai u nis për në “vijën e parë” (kufiri jozyrtar brenda shtetit ku Meitei dhe Kuki luftuan me njëri-tjetrin) pranë fshatit Khosabung, midis rajoneve Churchandanpur dhe Bishnupur, rreth 25 km nga shtëpia e tij. Ai nuk u kthye më.
Lhungdim vdiq në tre të mëngjesit më 31 gusht, derisa po largohej nga Khosabungu. Seanboi Vaiphei, zëvëndësshef i spitalit të rajonit të Churachandpurit, tha se nuk kishin mjete të duhura për ta trajtuar atë në Churachandpur. Kështu, me ndihmën e disa organizatave të shoqërisë civile, ai u dërgua me shpejtësi në Aizawl, kryeqyteti i shtetit fqinj të Mizoramit, në një udhëtim 16-orësh me makinë. Spitalet e kujdesit terciar në Imphal me shumicë të komunitetit Meitei kanë qenë të paarritshme për komunitetin Kuki.
“Ai u godit nga një bombë mortaje. Kur arritëm në spital, fëmijët e mi dhe unë nuk mund ta dallonim as fytyrën e tij. Fëmijët e mi u desh ta shihnin trupin e tij”, thotë Neimnilhing Lhungdim, gruaja e Lhungdimit.

“Kjo luftë nuk ia vlente”.
Autopsitë e viktimave, në të cilat pati qasje Al Jazeera, tregonin lëndime që ekspertët thonë se janë tregues të qartë të armatimit të rëndë që po përdorej në konflikt: plagë të thella, fragmente metalike të ngulitura 5-6 cm brenda indeve të buta; humbje të plotë të gjymtyrëve; kafka të copëtuara përtej njohjes; gjakderdhje të brendshme në shumë organe.
Një zyrtar i lartë i institutit shëndetësor kryesor në Imphal konfirmoi se në fillim të konfliktit, stafi filloi të vinte re “një ndryshim në llojin e lëndimeve nga plumbat” pasi ata u përballën me “trupa me plagë nga snajperët, të përdorura për të qëlluar dhe vrarë nga një distancë shumë më e madhe”.
Në anën tjetër të kufirit, një zyrtar i spitalit në Churachandpur, duke folur në kushte anonimiteti, bëri të ditur se kanë pranuar trupa “me lëndime të rënda nga bomba ose mortaja, diçka që nuk e kishim hasur kurrë më parë”.
Çfarë është më e keqja, ka pak shpresë që viktimat do të shohin drejtësi. Shumë prej ankesave të dorëzuara në polici, të para nga Al Jazeera, i listojnë të akuzuarit si “militantë kuki” ose “komuniteti i shumicës së Meiteit dhe Arambai Tenggol”, një milici e armatosur e Meiteit që është akuzuar për përshkallëzim gjatë konfliktit.
Kjo histori e vdekjeve nga bombat përfshin tërë Manipurin.
Neikim, 55 vjeçe, humbi djalin e saj më të madh, Richard Hemkholun, në konflikt.
Richard, i diplomuar në shkenca politike nga Universiteti Kombëtar Tribal Indira Gandhi në shtetin qendror indian të Madhya Pradeshit, vdiq në të njëjtën ditë me LS Mangboi derisa shërbente si vullnetar në fshatin Khoirentak Khunou në rajonin e Churachandpurit. “Nuk kishim zgjidhje tjetër veçse ta bënim djalin tonë vullnetar, jo për të vrarë, por për të mbrojtur njerëzit tanë. Të njëjtën gjë bëri edhe pala tjetër”, tha nëna e tij.
Sot, pasi humbi anëtarin e vetëm që siguronte të ardhura për familjen, Neikim punon si punëtore bujqësore me burrin e saj, i cili nuk mund të ecë siç duhet, duke fituar më pak se një dollar në ditë.
“Do të doja që kjo luftë të mos kishte filluar kurrë. Do të doja që qeveria të kishte bërë diçka, çfarëdo”, thotë Neikim, teksa fshin diplomën e djalit të saj dhe kitarën që ai kishte.
“Askush nuk e fitoi këtë luftë”
Mes këtij shkatërrimi, një audio që u publikua gushtin e kaluar shkaktoi zhurmë politike. Në të, një zë që supozohet se është ai i Singh, kryeministër në atë kohë, mburret për përdorimin e bombave dhe u kërkon zyrtarëve të sigurisë që të përdorin eksplozivët në mënyrë të fshehtë.
Singh, i cili i përket Partisë Bharatiya Janata (BJP) të kryeministrit Narendra Modi, e cila ushtron qeverisje federale edhe në Manipur, ka këmbëngulur që audioja është e falsifikuar, megjithëse një analizë nga “Truth Labs Forensic Services”, organizatë private jofitimprurëse, tha se krahasimet e bëra me mostrat e fjalimeve publike të Singhut treguan se kishte një përputhje prej 93 për qind.
Nëse dëshmohet që audioja është e vërtetë, kjo do të rezultonte në aktakuzë për qeverinë e Singhut, si shkak i bashkëpunimit të tij në nxitjen e konfliktit, thonë ekspertët.
Al Jazeera kërkoi një përgjigje nga Sharda Devi, udhëheqëse e BJP-së nga Manipuri, në lidhje me raportin e Truth Labs për audion, por ajo nuk dha përgjigje.
Ndërkohë, pas dorëheqjes së Singhut, qeveria e Modit ka shtrirë qeverisjen federale mbi shtetin e Manipurit. Që atëherë, luftëtarët e armatosur nga të dy palët, Meitei dhe Kuki-Zo, kanë dorëzuar disa nga armët e tyre, por shumica e tyre mbeten ende të pagjetura. Një ultimatum 14-ditor për dorëzimin vullnetar të armëve ka përfunduar më 6 mars.
Luftëtarët nga të dyja palët kanë kërkuar imunitet nga ndjekja penale. Por vetë shteti përballet me një realitet të zymtë: në shumicën e rasteve, nuk ka të dhëna se kush ka kryer cilin krim. A ishte vullnetar, pjesëtar i armatosur i milicisë apo një rebel nga një grup i fshehtë?
Për familjet si Houjellu dhe Neimnilhing, hapat e qeverisë drejt vendosjes së paqes janë shumë të paktë, tepër të vonuara.
63-vjeçari Paulianthang Vaiphei, babai i Pausondam Vaiphei, përpiqet të flasë, me zërin e tij të rënduar nga pikëllimi pasi humbi djalin e tij të vetëm. Pausondam, vetëm 29 vjeç, ishte anëtar i këshillit të fshatit Kangvai.
Sipas raportit të policisë të Churachandpurit, ai u vra si pasojë e granatimeve të forta pranë fshatit Kangathei më 31 gusht.
“Çfarë e ndaloi qeverinë që të vepronte më shpejt?”, pyet Paulianthangu, me zërin që i dridhet. “Nëse ata do të kishin synuar që të çarmatosnin shtetin që nga dita e parë, ndoshta nuk do të kishim parë këtë shkallë dhune dhe zhvendosjeje masive. Askush nuk e fitoi këtë luftë. Vetëm Manipuri humbi, njerëzit, paqen, të ardhmen e tij”.