Botë

Në manifestimin për rihapjen e spitalit në Haiti vriten dy gazetarë e një polic

Zyrtaret policore te Haitit patrullojne

Foto: EPA

Të paktën tre persona janë vrarë pasi persona të armatosur në Haiti kanë hapur zjarr ndaj gazetarëve, policëve dhe stafit mjekësor, gjatë një ngjarjeje ku po njoftohej për rihapjen e spitalit më të madh publik të Haitit, raporton “BBC”. 

Dy gazetarë dhe një polic u qëlluan për vdekje, ndërsa pati edhe disa të plagosur në sulmin e të martës në kryeqendrën Port-au-Prince. 

Ajo zonë ishte rimarrë nga Qeveria e Haitit në korrik, pasi ishte pushtuar dhe shkatërruar nga bandat. 
Aleanca e bandave “Viv Ansanm”, e cila kontroll pjesën më të madhe të kryeqendrës, ka marrë përgjegjësinë për sulmin. 

Fotografitë e publikuara në internet shfaqin disa persona të shtrirë përtokë. 

Gazetarët po prisnin që të vinte ministrja e Shëndetësisë, Lorthe Blema, kur filluan të shtënat. 

Gazetarët Markenzy Nathoux dhe Jimmy Jean u vranë gjatë sulmit, ka thënë zëdhënësi i Kolektivit të Mediave Online, Robert Dimnache, për agjencinë “AFP”.  Një gazetar tjetër u plagos. 

Po ashtu u vra një zyrtar policor, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Lionel Lazarre, për “AFP”. 

“Dukej si një film i frikshëm”, ka thënë fotoreporteri Dieugo Andre, që ishte dëshmitar i ngjarjes, për “The Haitian Times”.