Botë

Në Hagë mbahet konferenca që synon “rivendosjen e drejtësisë” në Ukrainë

Dmytro Kuleba dhe Hanke Bruins Slot

Ministra dhe zyrtarë nga dhjetëra vende janë mbledhur të martën në Holandë për një konferencë që synon rivendosjen e drejtësisë në Ukrainë, raporton “Associated Press”. 

Mes folësve në konferencë do të jetë edhe kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila ka lëshuar urdhërarrest për presidentin rus Vladimir Putin dhe oficerët ushtarakë të lidhur me konfliktin.

“Populli i Ukrainës, ata duan të shohin drejtësinë”, është shprehur ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba teksa mbërriti në konferencë.

Homologia e tij holandeze, Hanke Bruins Slot, ka bërë thirrje për ndëshkimin e krimeve të Rusisë.
“Këto krime të tmerrshme të Rusisë nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar. Nuk ka vend për mosndëshkim”, ka thënë ajo.

Gjatë konferencës, do të hapet zyrtarisht një proces që do t’i lejojë njerëzit të paraqesin kërkesat e tyre për kompensim për dëmet ose humbjet e pësuara si rezultat i pushtimit rus, të dhëna që do të regjistrohen në një regjistër të dëmeve të shkaktuara nga pushtimi i Rusisë. 

Nga Këshilli i Evropës, anëtarët e të cilit krijuan regjistrin në maj të vitit të kaluar, kanë thënë se ky proces do të fokusohet në kërkesat për dëmtim ose shkatërrim të pronës së banimit.

Sipas Këshillit të Evropës priten midis 300 mijë deri 600 mijë kërkesa.

Regjistri i dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës, ose RD4U, me bazë në Hagë, synon që së shpejti të përfshijë edhe dëmtimin ose shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Ukrainës.

Regjistri është një hap drejt një mekanizmi ndërkombëtar kompensimi që ende nuk është krijuar.