Botë

Në duart e Sarës erdhi në jetë Sara

Foshnja erdhi në jetë me kordonin e kërthizës të mbështjellë rreth qafës së saj, por Sara arriti t’ia hiqte atë dhe në jetë erdhi një vajzë e vogël. Nëna ia vuri vajzës së saj emrin Sara

Kur Sara Al-Saqqa diplomoi në gusht bëri histori, duke u bërë kirurgia e parë në Gazë. “Kam pasur shumë synime dhe ambicie për përmirësimin e kujdesit shëndetësor”, thotë 31-vjeçarja. Ajo shpresonte se një ditë do të ishte në gjendje të hapte klinikën e saj.

Por tetë javë më vonë mendimet e saj u reduktuan në një gjë të vetme: “Shpresoj që familja ime të mbijetojë. Prioritetet e të gjithëve kanë ndryshuar dhe ne tani po mendojmë thjesht që të mbesim gjallë”.

Sara kishte punuar në spitalin më të madh të Gazës, Al-Shifa, në veri të Rripit, qëkur diplomoi. Më 7 tetor ajo kishte ditën e pushimit dhe kujton se po bëhej gati për të përcjellë në shkollë motrën e saj më të vogël, e cila është 17 vjeçe. “Por ne filluam të dëgjonim bomba dhe nuk e lamë të shkonte”, thotë ajo.

Kur Sara kontrolloi telefonin e saj pa lajmin se Hamasi kishte sulmuar Izraelin. Personat e armatosur të tij vranë 1.200 njerëz dhe morën rreth 240 pengje. Që atëherë sulmet ajrore hakmarrëse të Izraelit dhe pushtimi tokësor e kanë shndërruar një pjesë të madhe të Gazës në rrënoja duke vrarë më shumë se 18 mijë njerëz.

Sarën e thirrën menjëherë në punë. Kur mbërriti, ajo pa “një masakër me plot njerëz të plagosur brenda”.

Që në fillim stafi u pushtua nga volumi i madh i njerëzve “me gjymtyrë të prera për shkak të bombardimeve dhe llojeve të ndryshme të lëndimeve të shkaktuara nga djegia intensive”.

Kur Izraeli filloi sulmet ajrore, u tha banorëve të Gazës që të evakuonin veriun dhe të zhvendoseshin në jug, duke pretenduar se atje do të ishin më të sigurt. Por Sara vendosi të qëndronte. “Kemi punuar vazhdimisht për më shumë se 34 ditë pa pushim, pa shkuar në shtëpi”, thotë ajo.

Ajo e përshkruan se si kushtet u përkeqësuan shpejt. “Pas çdo bombardimi, qindra pacientë vinin në të njëjtën kohë dhe ishte e pamundur të merreshim me të gjithë”.

Shumë të tjerë kërkuan siguri në mjediset e spitalit. Njerëzit ishin grumbulluar në çdo hapësirë të mundshme, gatuanin bukë nëpër korridore, flinin në dysheme dhe në dollapë dhe përpiqeshin të shpërqendronin fëmijët e tyre me lojëra.

Image
Sara ndihmoi ta sillte në jetë një fëmijë, për herë të parë, pasi ajo dhe e ëma u bllokuan në sallën e operacionit derisa bombardimet vazhdonin jashtë spitalit

Pak shpresë

Megjithatë, kishte fije shprese. Sara ndihmoi ta sillte në jetë një fëmijë, për herë të parë, pasi ajo dhe e ëma u bllokuan në sallën e operacionit derisa bombardimet vazhdonin jashtë.

Sara u përpoq me dëshpërim që të gjente një gjinekolog për ta ndihmuar, por askush nuk erdhi. Nga ora 06:00 nuk mund të prisnin më. “Iu luta Zotit tonë që të më ndihmonte dhe të shpëtonte edhe nënën edhe fëmijën”, thotë ajo.

Foshnja erdhi në jetë me kordonin e kërthizës të mbështjellë rreth qafës së saj, por Sara arriti t’ia hiqte atë dhe në jetë erdhi një vajzë e vogël. Nëna i vuri vajzës së saj emrin Sara.

Një nga gjërat më të vështira për Sarën ishte ndërprerja e komunikimit, kur ajo nuk mundi të kontaktonte me nënën, katër vëllezërit e motrat dhe gjyshen e saj. Kur linjat telefonike dhe lidhjet e internetit u ndërprenë, ata ishin rrugës për në Rafah, në jug, dhe ajo nuk e dinte nëse ishin gjallë apo të vdekur: “Unë nuk mund të funksionoja apo të vazhdoja, nuk mund të bëja asgjë”. Ajo ishte e frikësuar se do të bombardoheshin.

Konflikti u intensifikua dhe ajo e kuptoi se familja e saj ishte e sigurt, por sfidat e Sarës u shumëfishuan. Diçka aq e vogël, siç është ofrimi i një cope buke, u shndërrua në një moment gëzimi.

Pa energji elektrike, asaj iu desh të vraponte nëpër korridoret e spitalit, të mbushura me kandila dhe kreu një operacion në errësirë me zhurmën e bombave rreth saj. “Unë do ta përshkruaj këtë periudhë si fazën më të keqe të jetës sime, duke jetuar në ferr”, thotë ajo.

Ndërkohë që bombardimet sa vinin e afroheshin dhe qëllimet e ushtrisë izraelite për të sulmuar spitalin u bënë të qarta, Sara kishte frikë se nëse qëndronte do të vdiste, kështu që vendosi të evakuohej dhe të shkonte në Rafah, për të qenë me familjen, e cila tani po strehohej me xhaxhain e saj.

Megjithatë, ajo nuk e bëri udhëtimin për në jug e vetme. Ajo eci me kolegët e saj dhe nënën e foshnjën që kishte lindur.

Kur ushtria izraelite sulmoi spitalin, e përshkroi atë si një “operacion të shënjestruar kundër Hamasit” duke thënë se kishte gjetur një “qendër komandimi” atje - diçka që Hamasi e mohoi.

“Nuk kemi ujë për të pirë apo ushqim për të ngrënë. Ne nuk kemi shtëpi. Ne jemi braktisur, të ulur në rrugë, shkolla, sheshe. Ka ardhur dimri dhe ne nuk jemi të përgatitur, nuk kemi as rroba, as batanije, asgjë tjetër”, thotë Sara, duke përshkruar jetën për vete dhe situatën e më shumë se një milion banorëve të zhvendosur të Gazë.

Ajo ende po përpiqet të ushtrojë profesionin e saj kur mundet. “Çdo ditë dalim, bredhim dhe ndihmojmë sa të mundemi sepse strehimoret dhe shkollat kanë nevojë për ne”.

Sara shqetësohet mbi atë se çfarë i pret e ardhmja atë dhe familjen e saj.

“Ky vit duhej të ishte viti kur motra ime do të diplomonte dhe të fillonte jetën e saj, por tani nuk e kemi idenë se çfarë do të ndodhë”.

Ashtu si për banorët e tjerë të Gazës, shpresat dhe ëndrrat e tyre janë lënë mënjanë, në vend të mbijetesës.

Përgatiti: Forca Jashari