Në terma të ideologjisë, Meloni është një aleate e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. Mbetet të shihet se çfarë do të jenë avantazhet e marrëdhënies së tyre. Disa vëzhgues kanë thënë se Meloni mund të bëhet pëshpëritëse e Trumpit, duke e influencuar, ose një “kalë i Trojës” në Evropë, për qëllimet e Trumpit
Pasi kishte krijuar lidhje të forta të papritura me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, kryeministrja konservatore e Italisë, Giorgia Meloni, është pozicionuar për të shfrytëzuar një aleancë më natyrale me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump. Trumpi e mendon atë si lidhje kyç në mes SHBA-së dhe Evropës.
Javë para inaugurimit Meloni takoi Trumpin në pronën e tij në Mar-a-Lago, një vizitë që ajo ka thënë se ndodhi “jashtë pritshmërive”. Ajo deklaroi se udhëtimi ishte “një mundësi për të konfirmuar një marrëdhënie që premton të jetë e fortë, nuk e di nëse mund të them e privilegjuar”.
Një marrëdhënie e fortë transatlantike në mes të dy qeverive konservatore krijon “një vlerë të shtuar jo vetëm për Italinë, por për të gjithë Evropën”, ajo deklaroi para gazetarëve këtë muaj.
Mbetet të shihet se çfarë do të jenë avantazhet e marrëdhënies së tyre. Disa vëzhgues kanë thënë se Meloni mund të bëhet pëshpëritëse e Trumpit, duke e influencuar, ose një “kalë i Trojës” në Evropë për qëllimet e Trumpit.
“Është e qartë se nëse Trumpit do t’i nevojitet dikush në Evropë, atëherë do ta thërrasë Melonin. Rreth saj në Evropë është shkretëtirë”, ka deklaruar Franco Pavoncello, profesor i shkencës politike dhe president i universitetit “John Cabot” në Romë.
Mst: Meloni projekton stabilitet
E njohur për ndërrimin e shpeshtë të qeverive që rrallëherë e plotësojnë mandatin e plotë, Italia është në një pozicion jo të zakonshëm duke pasur qeverinë më stabile në mesin e aleatëve evropianë dhe G-7-s, derisa Gjermania, Franca madje edhe Kanadaja kanë probleme.
Meloni ka udhëhequr partinë e saj të djathtës ekstreme në një pozicion më afër qendrës, sidomos në politikën e jashtme. Ajo fitoi përkrahje si figurë politike në Evropë, pasi partia e saj e ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” mori shumë mbështetje në zgjedhjet e Bashkimit Evropian në qershorin e kaluar.
Udhëheqësja 48-vjeçare e Italisë ka udhëtuar në Floridë derisa qeveria e saj ishte duke punuar për ta liruar një gazetare italiane të arrestuar nga Irani gjatë dhjetorit. Brenda ditësh pas kthimit të saj, gazetarja Cecilia Sala, që ishte liruar në atë që Meloni e quajti “trekëndësh diplomatik” në mes SHBA-së, Italisë dhe Iranit. Katër ditë më vonë Italia liroi një shtetas iranian i arrestuar nga Italia me urdhërarrest të SHBA-së.
Elon Musk – një aleat i Trumpit, i cili u raportua se u kontaktua nga familja e Salas – bëri të ditur në rrjetin e tij social X se luajti rol të vogël. Në një postim tjetër, ai tha se “nuk ka pasur komunikim me Iranin” dhe thjesht “ka rekomanduar përkrahje nga SHBA-ja”.
Meloni mohoi përfshirjen e drejtpërdrejtë të Trumpit në marrëveshje dhe tha se nuk është në dijeni nëse Musk ka pasur ndikim. Por pavarësisht kësaj, ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, ka thënë se fotografitë e Melonit duke qëndruar krah Trumpit kanë ndikuar në forcimin e “kredibilitetit” në një nivel kritik.
Meloni dhe Trump aleancë e natyrshme
Në terma të ideologjisë, Meloni është një aleate e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Trump. Ajo ka reaguar kundër imigracionit dhe ka kërkuar marrëveshje me shtetet afrikane për të penguar emigrimet dhe është e vendosur t’i kontrollojë azilkërkuesit në dy qendra të azilkërkuesve që Italia i ka ndërtuar në Shqipëri. Po ashtu qeveria e saj ka miratuar politika më konservatore për familjet, duke përfshirë surrogacinë dhe ka vepruar për t’i zvogëluar abortet.
Kimia personale në mes Trumpit dhe Melonit po ashtu vërehet dhe ia rrit mundësitë për ta bërë atë lidhjen e Trumpit me Evropën. Këta dy janë parë duke biseduar gjatë festimit të rihapjes së katedrales “Notre Dame” të Parisit më 7 dhjetor, kur ata caktuan edhe takimin në Mar-a-Lago. Meloni po ashtu ka një shoqëri të ngushtë me këshilltarin kyç të Trumpit, Elon Musk.
Kryeministrja italiane është një nga lideret e rralla botërore që me shumë gjasë do të shkojë në ceremoninë e inaugurimit të Trumpit më 20 janar, duke konfirmuar lidhjet e forta me administratën e SHBA-së.
Të përbashkëta me Bidenin
Më befasuese ishte marrëdhënia e fortë e Melonit me Bidenin, i cili në fillimi e pa ngritjen e Melonit si një anim nga e djathta në politikën botërore. Por shqetësimet e Bidenit për ideologjinë e saj u shuan nga mbështetja e saj për Ukrainën në luftën ndaj Rusisë dhe hapjen e saj për largimin e Italisë nga pjesëmarrja në iniciativën kineze për ndërtimin e infrastrukturës “Iniciativa brez dhe rrugë”.
Ata dy u takuan dy herë në Washington, shumë e pazakontë për një udhëheqëse italiane në vetëm dy vjet qeverisjeje. Bideni kishte planifikuar udhëtimin e tij të fundit si president në Itali. Por gjithsesi ai udhëtim ishte anuluar në momentet e fundit, sepse Bidenit i duhej të qëndronte në Washington për t’i vëzhguar veprimet federale ndaj zjarreve shkatërruese në Los Angeles.
Në vend të takimit ata dy komunikuan përmes telefonit të premten e kaluar. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Bideni ka shprehur vlerësimin e tij për mbështetjen e Melonit për Ukrainën, si dhe për lidershipin e saj në G7, NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Rreziqet e marrëdhënies Meloni-Trump
Pozicioni proatlantik i Melonit, i siguruar me lidhjen e saj me Bidenin, mund të jetë sfiduese me një lidhje me Trumpin. Trumpi është duke i shtyrë aleatët e NATO-s për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje në rreth 5% të bruto produktit vendor. Italia është një nga tetë anëtaret e NATO-s që nuk e plotësojnë cakun prej 2% të bruto produktit vendor.
“Në Ukrainë administrata Trump do të tentojë të dialogojë me Rusinë për të arritur një zgjidhje dhe me shumë gjasë do të kërkojë nga Evropa të bëjë më shumë”, ka deklaruar Mario del Pero, ekspert i marrëdhënieve transatlantike dhe profesor i historisë ndërkombëtare në “Sciences Po” në Paris. “Kjo do ta vendosë Italinë në një pozicion të vështirë”.
Meloni veçse është detyruar për të komentuar retorikën ekspansioniste të Trumpit, duke iu thënë gazetarëve se komentet e tij për aneksimin e Grenlandës, Kanadasë dhe Panamasë janë menduar si paralajmërim, “më shumë një mesazh shtytës për lojtarët e tjerë globalë sesa një veprim keqdashës”.
Ekonomia e Italisë do të sfidohet nga tarifat e Trumpit në eksport. Nëse kjo tarifë arrin deri në 10%, atëherë do t’i kushtonte ekonomisë së Italisë, së varur ndaj eksporteve, deri në 7 miliardë dollarë, duke u bazuar nga studimi i kompanisë për analizimin e rrezikshmërisë “Prometeia”. Italia ka një suficit tregtar prej 42 miliardë eurosh me SHBA-në. SHBA-ja është partnerja e dytë eksportuese më e madhe e Italisë pas Gjermanisë.
Por në fund të fundit, në bazë të analistëve, Meloni është nacionaliste e vërtetë, e cila do t’i mbrojë interesat italiane para çdo gjëje.
Kjo mund të jetë në favor të Evropës, për shembull në rastin e tarifave dhe në përplasjet për shpenzime për mbrojtje. Por mund të jetë problem për unitetin evropian afatgjatë.
Një marrëveshje e raportuar me Space X e Muskut për të ofruar komunikimin përmes teknologjisë Starlink dhe institucioneve italiane kërcënon ta minojë konstelacionin orbital Iris2 prej 290 satelitëve të udhëhequr nga konsorciumi evropian që përfshin kontraktuesin italian për industrinë e mbrojtjes “Leonardo”.
“Është naive të imagjinosh se ajo do të jetë e aftë për t’i mbrojtur interesat e BE-së, derisa ajo me shumë gjasë do të veprojë si një ‘kalë i Trojës’ në Evropë. Kur ajo të përballet me zgjedhje të vështira, mënyra euroskeptike është mënyra që ajo do të veprojë, sepse është aty ku zemra i rrah me të vërtetë”, ka deklaruar Nathalie Tocci, drejtuese e Institutit për Punë të Jashtme me seli në Romë.
Përgatiti: Shkëlzen Dema