Shtetet e Bashkuara, së bashku me ndërmjetësuesit arabë kanë kërkuar të mërkurën të arrihet një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të ndalur luftën 14-mujore në Rripin e Gazës.
Thirrja vjen teksa forcat izraelite po vazhdojnë sulmet duke lënë të vdekur të paktën 20 persona vetëm gjatë mbrëmjes të së martës, raporton Reuters.
Një zyrtar palestinez i afërt me negociatat ka thënë të mërkurën se ndërmjetësit kanë ngushtuar boshllëqet në shumicën e klauzolave të marrëveshjes.
Ai ka shtuar se Izraeli ka paraqitur kushte të cilat Hamasi i hodhi poshtë, por nuk ka shtjelluar se për çfarë kushtesh bëhet fjalë.
Burime të afërt me bisedimet që po zhvillohen në Kajro, kanë bërë të ditur të martën se një marrëveshje mund të nënshkruhet në ditët në vijim për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.