E përditësuar (09:14) - Aeroporti i Frankfurtit, më i ngarkuari në Gjermani, ka rifilluar funksionimin pas pezullimit të fluturimeve të enjten në mëngjes, kur disa aktivistë të klimës bllokuan pistat.
“Avionët tani mund të ngjiten dhe të ulen sërish”, ka bërë të ditur aeroporti në faqen e tij të internetit, por pasagjerët u këshilluan të kontrollonin statusin e tyre të fluturimit përpara se të niseshin për në aeroport, raporton Reuters.
Një zëdhënës i Frankfurtit, një qendër jetike transiti ndërkombëtar dhe një nga aeroportet më të mëdha të Evropës, ka thënë se rreth 140 fluturime ishin anuluar nga 1,400 të planifikuara për të enjten.
Aktivistët e klimës së “Gjeneratës së Fundit” kanë thënë në një deklaratë se gjashtë protestues kishin prerë një gardh dhe kishin arritur në pika të ndryshme rreth pistës së aeroportit të Frankfurtit me postera që shkruanin "Karburanti vret".
Grupi, i cili dëshiron që qeveria gjermane të ndjekë një marrëveshje globale për të dalë nga nafta, gazi dhe qymyri deri në vitin 2030, ka renditur disa vende në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut ku janë planifikuar ndërprerje të ngjashme si pjesë e një proteste që filloi të mërkurën.
Ndalohen fluturimet në aeroportin e Frankfurtit
Aeroporti në Frankfurt, më i ngarkuari në Gjermani, ka pezulluar përkohësisht fluturimet mëngjesin e së enjtes për shkak të protestave, njoftoi shërbimi i aeroportit dhe policia gjermane.
“Luten pasagjerët që për momentin të mos vijnë në aeroport dhe të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre”, ka shkruar shërbimi i aeroportit në platformën X.
“Për shkak të veprimit të aktivistëve të klimës, trafiku ajror në aeroportin e Frankfurtit është pezulluar përkohësisht”, ka thënë një zëdhënës i policisë gjermane.
Sipas informacioneve nga policia, disa protestues kanë hyrë herët në mëngjes në ambientet e aeroportit dhe kanë nisur të protestojnë, raportojnë mediat gjermane.
Aeroporti i Koelnit të Gjermanisë pezulloi fluturimet për disa orë të mërkurën pasi aktivistët e klimës hynë në pistë, ndërsa autoritetet parandaluan veprime të ngjashme në aeroportet e tjera evropiane. Grupi “Last Generation” i ka marrë përsipër protestat.
Ata po kërkojnë nga qeveria gjermane që të heqë dorë nga përdorimi i naftës, gazit dhe qymyrit deri në vitin 2023.
Sipas grupit, protesta të ngjashme ka pasur në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut.